Reshitaj reagon ndaj Bislimit: Në Vushtrri komplet familja e anëtarit të Vetëvendosjes janë infektuar me koronavirus
Deputetja e AAK-së që është edhe kryetare e Komisionit për Shëndetësi në Kuvendin e Kosovës, Albena Reshitaj thotë se kjo parti ka qenë konstruktive në kohë të pandemisë.
Reshitaj ka thënë se është shqetësuese që ditëve të fundit rreth 50% e të testuarve po dalin pozitiv me COVID-19.
“Pas lirimit të masave në fund të qeverisë së kaluar, qytetarët filluan të mos i respektojnë rekomandimet e OBSH-së”, tha ajo.
Deputetja e AAK-së thotë se qeveria e re ka filluar gradualisht t’i shtojë masat sipas nevojës ndërsa qeveria paraprake i largoi masat.
Reshitaj thotë në Dukagjini se grupi parlamentar i AAK-së ka një numër të madh të mjekëve dhe sipas saj ata kanë qenë shumë të vëmendshëm qysh në fillim të shfaqjes së pandemisë.
“Ne kemi qenë shumë konstruktiv dhe nuk kemi dashur të politizojmë situatën epidemiologjike në vend”.
Deputetja e AAK-së i është përgjigjur edhe zyrtarit të LVV-së, Besnik Bislimi se askush nga VV nuk u prek nga coronavirusi pavarësisht se ishin në protestë.
“Nuk është e vërtetë ajo që thotë zoti Bislimi. Në Vushtrri komplet familja e anëtarit të Vetëvendosjes janë infektuar me koronavirus”, tha ndër të tjerë Albena Reshitaj.