Zemaj: Vdekjet që ndodhën në vikend po hetohen – kjo çështje mos të kthehet në betejë politike
Ministri i Shëndetësisë Armend Zemaj ka thënë se akoma nuk e ka një raport përfundimtar që tregon nëse vdekjet e datës 4 dhe 5 në Klinikën Infektive ndodhën si pasojë e telasheve në sistemin qendror të oksigjenit.
Ai ka thënë se sapo të dalë raporti zyrtar çdokush që mund të jetë përgjegjës për shkeljet ose gabimet e mundshme do të japë përgjegjësi, derisa ka kërkuar që kjo çështje të mos kthehet në betejë politike.
“Jemi në analizim të asaj situate. Edhe sot kam qenë në Klinikën Infektive, jo vetëm për këtë çështje, por kam insistuar të kem një raport pune ditor. Përmes Klinikës Infektive interesimi i Ministrisë së Shëndetësisë është që të kemi monitorim të plotë të gjendjes në QKUK”.
“I kam raportet preliminare. Po i pres raportet zyrtare edhe nga inspektoratet që i kam angazhuar në kuadër të Ministrisë së Shëndetësisë, por edhe nga Prokuroria. Nuk dua të paragjykoj. Ajo çfarë kam kërkuar, edhe në konferencën e sotme për media, është që t’i lëmë të bëjnë punën e tyre profesionistët shëndetësorë. Mos t’i gjykojmë për një veprim. Gjithçka që është për t’u sqaruar do të sqarohet. Nëse ka përgjegjësi nuk do të jetë imun askush para përgjegjegjësisë dhe shkeljes”.
“Mos ta kthejmë ketë çështje edhe në betejë politike. E keni parë se çfarë ka ndodhur mes të shtunës dhe të dielës dhe cili ka qenë agresiviteti i bodyguardëve politikë që në mënyrë histerike e kanë pasë një reagim të shfrenuar ndaj këtyre rasteve. Udhëheqësit e QKUK-së nuk ishin në gjendje të më japin shpjegime nga ky presion. Kam pritur raport pothuajse gjashtë orë për të më sqaruar së paku me shkrim për katër-pesë rastet, sëmundjet që kanë pasur, për çfarë janë pranuar në Klinikën Infektive dhe në çfarë mënyre ka ndodhur vdekja e tyre. Ka qenë presion aq i madh ndaj tyre. Është fatkeqësi që është tentuar të shfrytëzohet ajo ditë dhe akoma ka tendenca të tilla”.
“Insistoj që vdekjet e datës 3,4,5 dhe 6 të sqarohen. Është e drejtë e familjarëve, dyshimet kanë filluar nga ta dhe më pas është rritur”.
Zemaj ka sqaruar në Klan Kosova se vdekjet që u raportuan në vikend nuk kanë ndodhur brenda 24 orëve.
“Është e vërtetë që në më pak se dy orë, fatkeqësisht, kanë ndodhur katër vdekje. Pjesa tjetër është ndërlidhur me ditën paraprake, dy humbje jete kanë ndodhur me datën 3 korrik, por janë raportuar me datën 4 korrik. Në mesnatën e natës tjetër, më 5 korrik, ka pasë po ashtu vdekje. Kjo shifër është paraqitur sikur të ketë ndodhur brenda një dite”.
Ai ka thënë se komunikimin e fundit me personelin dhe menaxhmentin e Ministrinë e Shëndetësisë e ka pasë të shtunën para orës 1 të natës, pa e ditur se do të ketë vdekje të reja.
“Kërkoja llogari për rastet që kanë ndodhur me datën 3 korrik dhe janë bartur dhe janë ndërlidhur me datën 4 korrik. Në mëngjesin e hershëm jam njoftuar që Klinika Infektive e ka thirrur Policinë dhe se Prokuroria është nisur që të jetë në klinikë”.
“Nuk kam dashur të jem në Klinikë duke e ditur që aty është Policia dhe Prokuroria. Në momentin kur më kanë njoftuar se po e përfundojnë punën e tyre, kam shkuar në Klinikën Infektive ku e kam takuar menaxhmentin të cilët kanë qenë shumë të shqetësuar dhe të brengosur. Kam kërkuar që të ruhet qetësia dhe personeli mjekësor ta vazhdojë punën ashtu siç i kam pa edhe personalisht”.
Kur mund të pritet një raport përfundimtar që mund të tregojë se çfarë ka ndodhur saktësisht në Klinikën Infektive?
“Prokuroria është në përfundim të pjesës së hulumtimit teknik. Edhe raportet preliminare kanë ardhur nga dy institucionet tjera. Prokuroria dhe Policia kanë kërkuar informata shtesë profesionale nga Inspektorati Shëndetësor. Kam autorizuar që shumë shpejt t’i marrin informacionet e sakta nga aspekti profesional i trajtimit, dhe atëherë do ta kemi krejtësisht të sqaruar situatën. Do të insistoj që së pari të informohen së pari familjet, pastaj opinioni publik, qoftë nevoja edhe Kuvendi i Kosovës, edhe mediat dhe të gjithë duhet ta dinë të vërtetën mbi dyshimet e ngritura”.