Këshilltari i kryeministrit: Hoti është i qartë, përfundimi i dialogut përkon me njohje
Valon Murtezaj, këshilltari për politikë të jashtme i kryeministrit Avdullah Hoti, ka thënë se në takimin e sotëm që kryeministri kosovar pati me presidentin e Francës Emmanuel Macron është diskutuar edhe për çështjen e vizave.
Ai ka thënë se Franca dëshiron të sigurohet që në Kosovë pas liberalizimit të vizave nuk do të ndodhë skenari i njëjtë që ka ndodhur në shumë vende – largim masiv i qytetarëve drejt vendeve të Europës.
“Është diskutuar për çështjen e vizave pa dyshim, sepse është ai insistimi i vazhdueshëm i të gjithëve, i kryeministrit aktual, por edhe më herët. Presidenti [Emmanuel] Macron ka qenë shumë i hapur lidhur me këtë. E gjithë çështja është që për shkak të të kaluarave të ndryshme të vendeve dhe telasheve që i kanë sjellë pastaj, thjesht dëshirojnë që të jenë vigjilentë në mënyrë që të mos përsëriten situatat e tilla ku njerëzit marrin vizat dhe pastaj kërkon azil. Kjo është çështja”.
“Është dakorduar një pikë shumë me rëndësi – në tremujorin e ardhshëm të formohen ekipet nga dy Ministritë e Brendshme, sepse këto janë institucionet kryesore në këtë fazë, në mënyrë që të merrren me çështjet për të cilat ka interesim. Kryeministri [Avdullah] Hoti tha se jemi të gatshëm që ta bëjmë këtë qysh sot, sepse jemi të qartë nga ana e Kosovës. Nuk mjafton vetëm të themi se janë plotësuar kriteret, sepse ato janë plotësuar, por të tregojmë që jemi në gjendje që ta provojmë që jemi gati për atë vendim”.
Cili është mesazhi politik të cilin Kosova e ka përcjellë në Paris?
“Delegacioni i Kosovës ka arritur të transmetojë mesazhet kryesore politike, por edhe në dimensione teknike, për tre-katër fushat kryesore. Çështja e perspektivës së integrimit europian. Kosova nuk është vend me orientim tjetër – ne jemi Europë. Kjo ka qenë pikënisja”.
“Sa i takon liberalizimit të vizave ne jemi gati dhe do të bëjmë krejt atë çka mund të kërkohet eventualisht shtesë për të forcuar kredibilitetin e të arriturave të Kosovës”.
“Sa i përket dialogut si temë e vështirë, kryeministri Avdullah Hoti ka qenë shumë i qartë që ne jemi për proces. Nuk është proces i ri – mirë që rifillon, por përfundimi duhet të jetë njohja. Nuk ka kuptim që një dekadë të diskutohet për tabelat e makinave. Nuk duhet të jetë kjo fazë e dialogut që do të merret me gjëra të tilla”.
Murtezaj ka thënë në Klan Kosova se nuk ka pasë asnjë kushtëzim karshi Kosovës për të marrë liberalizimin e vizave.
“Nuk ka pasë diskutime të tilla, as parakushtëzime dhe as kushtëzime. E di që është diskutuar momenti kur për heqjen e tarifës do të ishte një kundërshpërblim. Nuk kishte kushtëzime të tilla”.
“E gjithë ajo që është diskutuar ka qenë vigjilenca dhe kredibiliteti i të dhënave në mënyrë që të mos përsëriten situata që i kanë ndodhur Europës në të kaluarën me vendet e tjera”.
Murtezaj ka thënë se presidenti francez e ka mirëpritur ftesën e kryeministrit Avdullah Hoti për ta vizituar Kosovën.
Ai është shprehur i bindur se Emmanuel Macron do ta vizitojë Kosovën sapo një gjë e tillë do të jetë e mundur në përputhje me agjendën e tij.
“Emmanul Macron e mirëpriti shumë ftesën që kryeministri Avdullah Hoti i bëri. Nuk ishte vetëm mirëpritje kurtuazie vetëm sa për t’i thënë po, por do të punohet në këtë drejtim që kurdo që në të ardhmen i përshtatet agjenda presidenti Macron do të vijë ta bëjë një vizitë në Kosovë”.