Zemaj tregon rastin kur i infektuari ka ikur nga QKUK dhe ka shkuar në festën e familjes
Ministri i Shëndetësisë në Qeverinë e Kosovës, Armend Zemaj ka shprehur shqetësimin e tij për dyshimet që kanë njerëzit për ekzistencën e coronavirusit.
Zemaj në RTV Dukagjini ka thënë se për fat të keq ka raste kur persona janë larguar nga Klinika Infektive.
“Kemi paralajmëruar Vushtrrinë se një person ka ikur nga Klinika dhe më pas ka shkuar në festë në familjen e tij të madhe. Normalisht se ka qenë i pritshëm infeksioni ku edhe më pas është rritur numri”, tha ai.
Ministri i Shëndetësisë thotë se ka pasur edhe sondazhe ku një pjesë e madhe e njerëzve nuk besojnë se ka coronavirus.
“Ne për atë kemi insistuar që edhe mediat të jenë në Klinikën Infektive dhe të shohin nga afër trajtimin e pacientëve të prekur nga COVID-19.
Zemaj thotë se nëse do të respektoheshin masat nga qytetarët situata do të ishte më ndryshe.
Ministri i Shëndetësisë thotë se megjithatë ka mjaft probleme edhe në sektorin e shëndetësisë ku sipas tij një pjesë e madhe e klinikave kanë ushtrues detyre për një kohë shumë të gjatë që është në kundërshtim me ligjin.