Interi ende nuk ka biseduar me Brescian për Tonalin, thotë Marotta
Shefi ekzekutiv i Interit, Beppe Marotta, thotë se ka marrëdhënie shumë të mira me presidentin e Brescias, Massimo Cellino, por e pranon se zikaltrit nuk kanë biseduar asnjëherë me klubin e tij rreth Sandro Tonalit.
Për mesfushorin e talentuar italian është përfolur vazhdimisht se do t’i bashkohet Interit gjatë kësaj vere dhe vetë Marotta e ka ripërsëritur dëshirën e klubit për ta pasur në skuadër përfaqësuesin italian.
Ai, po ashtu, e pranoi se Interi do të përballet me konkurrence sepse shumë klube të tjera e duan Tonalin.
“Ai është lojtar i ri dhe Interi dëshiron ta ketë në dispozicion vitin e ardhshëm. Nuk jemi vetëm ne që e duam atë, por shumë të tjerë”, tha Marotta për Sky Sport Italia.
“Ende nuk kemi biseduar me Brescian, edhe pse kemi marrëdhënie shumë të mira me Cellinon”, shtoi ai.