Befason Hykmete Bajrami – kjo ishte vota e saj për shkarkimin ose jo të Vjosa Osmanit
Ministrja e Financave, Hykmete Bajrami ka treguar për votën e saj për shkarkimin të Vjosa Osmanit nga pozitat udhëheqëse në Lidhjen Demokratike të Kosovës.
Bajrami ka thënë se ka abstenuar në këtë votim.
“Unë kam votuar, dhe votat janë në LDK. Ka qenë vendim i organeve të partisë, jo vendim i imi personal. Po dua ta shfrytëzoj të drejtën time për të mos komentuar këtë. Nuk besoj se as znj. Osmani e as unë të pranojmë që të jemi viktima për shkak të gjinisë. Vendimet e tilla besoj se do t’i vlerësojnë qytetarët dhe do i vlerësojë historia. Unë e kam dhënë votën. Unë po ju tregoj se kam abstenuar”, ka thënë Bajrami në Interaktiv të KTV-së.
Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, përmes formatit elektronik pyeti anëtarët e Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së nëse duhet shkarkuar, Vjosa Osmani nga LDK. 70 anëtarë u përgjigjën me “PO”, për ta shkarkuar Osmanin nga dy pozitat udhëheqëse në LDK; nënkryetare dhe anëtare e Këshillit të Përgjithshëm.
Ky shkarkim erdhi pas divergjencave të shumta në mes LDK-së dhe Vjosa Osmanit që nga viti 2014, kur Osmani nuk pranoi ta votonte Isa Mustafën kryeministër për shkak të koalicionit të LDK-së me PDK-ne, për të vazhduar deri tek mosvotimi i Avdullah Hotit për kryeministër nga Osmani.
Bajrami ishte parë shpesh me Osmanin gjatë fushatës zgjedhore të vitit 2019. Atëherë Osmani ishte kandidate e LDK-së për kryeministre.