Hoti: Deklarata e 2 Korrikut sublimon përpjekjet e popullit të Kosovës për liri dhe pavarësi
Siç njofton kumtesa, me këtë rast, Kryeministri Hoti tha se kjo deklaratë qe moment kthese në historinë më të re të Kosovës, sepse ishte akti i parë i artikulimit të qartë të vizionit dhe të vullnetit politik të qytetarëve dhe të institucioneve të Kosovës për liri, demokraci dhe pavarësi.
“Deklarata e 2 Korrikut e vitit 1999 do të kujtohet gjithmonë si akt që sublimon përpjekjet e popullit të Kosovës për liri dhe pavarësi. Bashkë me aktet e tjera që e pasuan atë, si Kushtetuta e Kaçanikut dhe Referendumi për pavarësi, kjo deklaratë shënon kthesën historike në përpjekjet tona të gjithanshme për liri në dekadën e fundit të shekullit XX”, tha kryeministri Hoti.
Në këtë ditë të rëndësishme – vijoi kryeministri Hoti – ne si qeveri e vendit u shprehim mirënjohjen tonë të gjithë delegatëve të Kuvendit të 2 Korrikut, të cilët, në koordinim me lëvizjen politike demokratike të asaj kohe, me vendimet e tyre të guximshme i hapën Kosovës rrugën e pakthyeshme të mëvetësisë dhe të integrimeve euroatlantike.
Ndërsa, në emër të delegatëve, të cilët shpallën Deklaratën e 2 Korrikut dhe miratuan Kushtetutën e 7 Shtatorit, foli z. Iljaz Ramajli, ish-kryetar i Kuvendit të atëhershëm të Kosovës, i cili e falënderoi kryeministrin Hoti për pritjen, si dhe për angazhimin e Qeverisë së Kosovës që kujdesi për delegatët e asaj kohe të ngrihet nga niveli i vullnetit politik, në obligim institucional dhe ligjor.