Testimi për koronavirus në Kuvend, kështu dolën rezultatet e deputetëve të LDK-së e VV-së
Në Kosovë dita-ditës po rriten dukshëm rastet e të infektuarve me koronavirus, shkaku i lehtësimit të masave që u vendosën për ta parandaluar pandeminë.
Së fundmi virusi e kaploi edhe Kuvendin e Kosovës, pasi që ai kishte hyrë në institucione shëndetësore, Postë, KEDS, Galeri të Arteve, shkolla etj. Kështu pozitiv u konfirmuan edhe deputeti i LDK-së, Arben Gashi me familje dhe sekretari i Kuvendit, Ismet Krasniqi.
Kjo bëri që të bëjnë kërkesë për testim deputetë të Kuvendit dhe anëtarë të stafit të Kuvendit, në tërësi 50 persona. Po ashtu u shty edhe mbledhja e rregullt e Kryesisë dhe mbledhjet e tjera të mundshme.
Nga LDK-ja njëra prej të testuarve është edhe deputetja Doruntinë Maloku-Kastrati. Ajo tha për FaktePlus se ka rezultuar negativ kurse sipas informacioneve të saj, negativ kanë rezultuar edhe kolegët e saj.
“Mua Kuvendi më ka njoftuar që kam dalë negativ. Unë deri tash kam qenë në vetizolim si rast kontakti dhe edhe pse s’kam pasë shumë kontakte, jam testuar. Për të tjerë kolegë deputetë nuk mund të them sigurt, por mesa di edhe ata kanë rezultuar negativ”, tha Maloku për FaktePlus.
Maloku e LDK-së: Kam dalë negativ për koronavirus, me sa di edhe të tjerët janë negativ
Edhe Rexhep Selimi i Vetëvendosjes konfirmoi se kanë rezultuar negativ të gjithë deputetët e Vetëvendosjes.
“Të gjithë deputetët nga grupi parlamentar i Vetëvendosjes kanë rezultuar negativë”, ka thënë Selimi për FaktePlus.
Dalin rezultatet e deputetëve të Vetëvendosjes për koronavirus
Ndryshe, FaktePlus mëson se gjatë testimit të sotëm kanë munguar disa deputetë dhe punonjës, mirëpo nuk dihet se kur do të testohen.
Deri sot, në Kosovë janë regjistruar 2878 raste me koronavirus. Prej tyre 1577 janë shëruar, ndërsa 52 persona kanë vdekur, që sipas IKSHPK- së, të gjithë kanë pasur sëmundje shoqëruese./FaktePlus