Maloku e LDK-së: Kam dalë negativ për koronavirus, me sa di edhe të tjerët janë negativ
Një pjesë e madhe e deputetëve e stafit të administratës së Kuvendit janë testuar për koronavirus pasi që deputeti i LDK-së, Arben Gashi dhe sekretari Ismet Krasniqi rezultuan pozitiv.
E njëra prej deputeteve që është testuar është edhe Doruntinë Maloku-Kastrati nga LDK-ja. Maloku për FaktePlus ka konfirmuar se vet ka dalë negativ ndërsa thotë se me sa ka informacione, edhe të tjerët kanë dalë negativ.
“Mua Kuvendi më ka njoftuar që kam dalë negativ. Unë deri tash kam qenë në vetizolim si rast kontakti dhe edhe pse s’kam pasë shumë kontakte, jam testuar. Për të tjerë kolegë deputetë nuk mund të them sigurt, por mesa di edhe ata kanë rezultuar negativ”, tha Maloku për FaktePlus.
Varësisht rezultateve do të vazhdohet edhe me punën e Kuvendit gjatë ditëve të vazhdim.
Që nga regjistrimi i rastit të parë me koronavirus, respektivisht përhapjes së pandemisë, në Kosovë janë regjistruar gjithsej 2.878 raste me COVID-19.
Dje pati edhe 71 të shëruar, duke e çuar në 1.577 numrin e përgjithshëm të të shëruarve.
Sipas njoftimit të Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik (IKSHPK), nga sëmundja COVID-19 dje ka vdekur edhe një person, duke e çuar kështu numrin e viktimave në 51. Të gjithë këta thuhet se kanë pasur edhe sëmundje të tjera shoqëruese./FaktePlus
Testohen disa deputetë dhe punonjës të Kuvendit, sot priten rezultatet