Qeveria u kërkon deputetëve votën – qytetarët kanë nevojë për ndihma
Qeveria e re e drejtuar nga Avdullah Hoti erdhi para një muaji në pushtet, por vonesat po vazhdojnë ende në ratifikimin e marrëveshjeve ndërkombëtare, si dhe në rishikimin e buxhetit të shtetit, duke pamundësuar kështu një intervenim më të shpejtë për tejkalimin e problemeve ekonomike dhe sociale që u krijuan nga pandemia e Covid-19 në Kosovë.
Masat që morën institucionet e vendit nga muaji mars për parandalimin e përhapjes së koronavirusit, siç janë edhe kufizimet në ushtrimin e aktiviteteve ekonomike, kanë ndikuar në uljen e të hyrave për buxhetin e Kosovës. E kjo solli edhe shpenzime të pa planifikuara, pasi janë dhënë me miliona euro për përkrahjen e qytetarëve.
Situata solli nevojën që të rishikohet buxheti i shtetit dhe të bëhen orientime të reja se kah duhet të shkojnë paratë. Por një gjë e tillë ende nuk ka ndodhur, madje përveç që nuk është votuar rishikimi i buxhetit, nuk janë aprovuar akoma as marrëveshjet ndërkombëtare me të cilat Kosova do të përfitonte mjete financiare.
Zëvendësministri i Financave në Qeverinë e Kosovës, Agim Krasniqi thotë se ka kohë që rishikimi i buxhetit është përgatitur dhe aprovuar në qeveri dhe prej ditësh pritet të japin mendimin e tyre duke e dhënë votën deputetët e Kuvendit të Kosovës.
“Rishikimi i buxhetit është përgatitur prej qeverisë, është aprovuar në qeveri dhe është dërguar në Kuvend dhe pritet që aty ta vazhdojë procedurën deri në miratim”, ka thënë ai.
Zëvendësministri Krasniqi tregon në një prononcim për Agjencinë e Lajmeve FaktePlus se situata e krijuar nga pandemia, solli nevojën që kësaj herë në rishikimin e buxhetit të ketë fokusim më të madh për rimëkëmbje ekonomike.
“Krahas pandemisë, kësaj radhe është shtuar edhe nevoja për rimëkëmbje ekonomike. Kështu që duke pasur parasysh nevojën për financim shtesë, Qeveria ka kërkuar për ndryshim në menaxhimin e financave publike”, ka thënë ai.
Tutje Krasniqi shton se gjatë kësaj kohe ka pasur shpenzim të hyrash prej 232 milionë euro dhe me rishikim të buxhetit për shpenzime shtesë duhet të ndahen plus 620 milionë euro.
“Pavarësisht që kemi shpenzim të hyrash prej 232 milionë euro me rishikim të buxhetit është dashtë që për shpenzime shtesë 620 milionë, të cilat kanë ardhur prej financimeve të kredimarrjes dhe mjeteve të AKP- së”, është shprehur Krasniqi.
Krasniqi thekson se Pakoja Emergjente, si dhe Pakoja për Rimëkëmbje Ekonomike nuk mund të zbatohet pa miratimin e buxhetit.
“Nëse vonohet rishikimi i buxhetit, shumëçka që është planifikuar në kuadër të buxhetit nuk mund të bëhet. Pra, rrezikohet implementimi i Pakos Emergjente dhe i Pakos për rimëkëmbje ekonomike”, është shprehur ai.
Ai bën apel të votohet sa më shpejtë buxheti për shkak se qytetarët kanë nevojë për ndihma financiare për t’i mbuluar demët ekonomike gjatë pandemisë.
“Rishikimi i buxhetit duhet të miratohet sa më shpejtë për shkak që qytetarët kanë nevojë për ndihma financiare për shkak se gjatë pandemisë kanë pësuar humbje. Nëse nuk votohet ky rishikim atëherë humbësit më të mëdhenj janë qytetarët dhe sektori publik”, ka thënë Krasniqi.
Ndërkohë dy institucionet që çdo vit mbushin arkën e shteti me para, janë prekur fort nga pandemia e koronavirusit. Dogana dhe Administrata Tatimore e Kosovës kanë pësuar rënie të mëdha në të hyra.
Këto dy institucione aktualisht kanë miliona euro më pak në arkë krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar. ATK tani ka 26 milionë euro më pak të hyra, kurse Dogana i ka mangu hiç më pak se 61 milionë euro./FaktePlus
Pandemia e goditi fort arkën e shtetit, ATK e Dogana miliona euro më pak