Kundërthëniet qeveritare, Hoti: Klinika Infektive është e stërmbushur, Zemaj: S’është e vërtetë që s’ka më vende
Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti dhe Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj kanë dhënë deklarata kundërthënëse lidhur me situatën në vend pas përhapjes së koronavirusit.
Në dy paraqitje që kanë pak kohë diferencë, kryeministri Hoti dhe ministri i Shëndetësisë, kanë dhënë deklarata të ndryshme për gjendjen në Klinikën Infektive, aty ku po trajtohen të prekurit me koronavirus.
Fillimisht, kreu i Qeverisë ka deklaruar se nuk ka më vende për pacientë në Klinikën Infektive.
“Kemi 49 raste me fatalitet, Klinika Infektive është e stërmbushur, nuk ka vende më për njerëz në Klinikën Infektive”, ka deklaruar Hoti para mediave.
Megjithatë, ndryshe ka deklaruar ministri i Shëndetësisë, që tha se këto deklarata janë gënjeshtra e manipulime.
“S’është e vërtetë që nuk ka vende në Klinikën Infektive, s’është e vërtetë që Qendra Klinike Universitare është para kolapsit. Këto janë gënjeshtra, janë manipulime të dashakeqëve”, deklaroi Zemaj.
Këto deklarata të Hotit e Zemajt i ka shpërndarë në Facebook, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Fitim Uka.
“Cili është mashtruesi këtu? Apo të dy?!”, ka shkruar ai.