Naser Rugova: Presidenti Rugova kishte propozuar themelimin e Prokurorisë Speciale në Kosovë gjatë vitit 2004
Anëtari i Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së, Naser Rugova thotë se Kosova është kërcënuar nga ambasadorët e huaj kur është tentuar shfuqizimi i Specialja.
Rugova ka thënë se Kosova ka qenë në presion për të zgjedhur në mes të dy rrugëve sa i përket krijimit të Gjykatës Speciale.
“Ose të votohet në Kuvend ose do ta themelonte OKB-ja”, tha ai.
Anëtari i Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së thotë se edhe ish-Presidenti Rugova në një takim me liderët politikë të kohës në vitin 2004 ka propozuar themelimin e një prokurorie speciale për krime lufte pasi të njëjtën gjë e kishte bërë Serbia dhe Kosovës mund t’i dilnin probleme.
“Presidenti Rugova u ka thënë troç: “E ka formuar Serbia Prokurorinë Speciale në Beograd, ta formojmë edhe ne se do të na dalin probleme zinxhirore”. Këtë ma ka thënë një lider që sot mund të jetë njëri ndër nëntë tjerët të akuzuar që nuk u është përmendur emri”.
Rugova thotë në Dukagjini se një moment i vështirë për Kosovë ka qenë kur është tentuar shfuqizimi i Gjykatës Speciale.
“Ambasadorët e SHBA, Gjermanisë dhe Britanisë na kanë thënë se po luani me themelet e shtetit të Kosovës”.
Ish-deputeti i LDK-së thotë se qysh në vitin 2015 ka qenë kundër drejtësisë selektive monoetnike.
“Konsideroj që raporti i Dick Marty-t na ka dëmtuar si shtet. Në si shqiptarë njihemi si popull që kemi bërë gjithmonë luftë të pastër”, tha ndër të tjera Naser Rugova.