Rama-Hotit: Shqipëria i ka qëndruar dhe do t’i qëndrojë gjithmonë pranë Kosovës
Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti priti sot Kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, i cili po qëndron për një vizitë dyditore në Kosovë.
Hoti e ka falënderuar Ramën për mbështetjen e përhershme që Shqipëria i ka dhënë Kosovës. Duke folur për gjendjen e re të krijuar në vend, kryeministri Hoti ritheksoi se Republika e Kosovës tashmë ka një kulturë të dëshmuar institucionale për t’i përballuar me dinjitet sfidat e tilla, që natyrisht nuk janë të lehta.
Po ashtu, kryeministri Hoti ka ritheksuar se, pavarësisht rrethanave dhe vështirësive që mund të dalin gjatë procesit, Qeveria e Republikës së Kosovës është e përkushtuar që ta zhvillojë agjendën e saj të integrimeve euroatlantike.
“Ne jemi të vendosur ta vazhdojmë procesin e dialogut me Serbinë, me qëllim të arrijmë një marrëveshje të përhershme paqeje e stabiliteti, e cila do të rezultojë me njohjen e ndërsjellë në mes dy vendeve”, është shprehur Hoti.
Ndërsa, kryeministri i Republikës së Shqipërisë, Edi Rama, ka ofruar mbështetjen e plotë të qeverisë shqiptare për institucionet dhe popullin e Kosovës.
“Shqipëria i ka qëndruar dhe do t’i qëndrojë gjithmonë pranë Kosovës”, tha Kryeministri Rama, duke theksuar se edhe në të ardhmen, Shqipëria do ta ndihmojë Kosovën në të gjitha proceset.