Salihaj: Treshja Rama-Thaçi-Vuçiq po bëjnë përpjekje për zhbërjen e shtetit, me hyrjen e PDK-së në Qeveri bie Hoti
Ish-deputeti i LDK-së, Adem Salihaj ka reaguar pas ngjarjeve të fundit të rëndësishme në vend, akuzave për krime lufte ndaj presidentit Hashim Thaçi e kreut të PDK-së, Kadri Veselit si dhe vizitës së kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama.
Salihu ka thënë se krijues i qeverisë Hoti është Hashim Thaçi kurse ai do të jetë ‘sponsori’ i një qeverie të re edhe me PDK-në në të.
“Tash erdhi momenti për të hyrë PDK në qeveri. Siç dihet, edhe qeverinë Hoti, tash edhe këtë qeverinë tjetër, po i krijon Hashim Thaçi. Tash i erdhi në ndihmë me vrap edhe Edi Rama, ndërsa urdhëndhënësi i tyre Aleksandër Vuçiqi po rri në prapaskenë”, shkroi Salihaj, përcjell FaktePlus.
Sipas tij, kryeministër i një qeverie të re me PDK-në nuk do të jetë Hoti. Për Salihajn këto ‘lojëra të rrezikshme’ ka mundësi që po bëhen për ta pezulluar Ligjin për Specialen e shpëtuar Veselin e Thaçin.
“A do të jetë Hoti kryeminister i qeverisë së re me PDK-në dhe partitë tjera? Sipas mendimit tim, ai nuk do të jetë, për arsyen e thjeshtë se ai nuk mund t’u dalë përballë sfidave të mëdha e të rrezikshme, që e presin këtë qeveri. Logjikisht, kryeministër mund të jetë Isa Mustafa, i cili, bashkë me Thaçin, ose njeriun e Thaçit, do ta nënshkruante marrëveshjen me Serbinë”, tha Salihu. “Ndoshta të gjitha këto lojëra të rrezikshme për Kosovën po bëhen edhe për pezullimin e Ligjit për Gjykatën Speciale, që të shpëtohet lëkura e Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit?”
Salihaj thotë se Thaçi-Rama-Vuçiq kanë për qëllim ndarjen e Kosovës e zhbërjen e shtetit.
“Treshja antishqiptare po bën përpjekje maksimale që ta realizojë planin për ndarjen e Kosovës dhe zhbërjen e saj si shtet. A do të arrihet kjo? Ka shumë gjasa se ky plan mund të realizohet, duke marrë parasysh papjekurinë politike të shumicës së deputetëve të Kuvendit të Kosovës”, shtoi ai.