Pas Postës, KEK-ut e KEDS-it, edhe Kuvendi i Kosovës preket nga koronavirusi
Përveç institucioneve të njohura si Posta e Kosovës, KEDS e KEK, të cilat raportuan gjatë javëve të fundit për punëtorë të prekur nga Covid-19, së fundmi një rast pozitiv është shënuar edhe në Kuvendin e Kosovës.
Së fundmi u bë e ditur se Shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi, është infektuar me koronavirus.
Këtë e bëri të ditur vetë Gashi përmes një postimi në Facebook, i cili shtoi se pozitiv ka rezultuar ai së bashku me gjithë familjen e tij, ndërkaq ende nuk ka bërë lidhur me burimin e infeksionit.
“Të nderum miq,
Me simptoma të lehta si kokëdhembje e temperaturë, dje shkova të testohem në repartin e Infektives. Unë dhe familja ime dje rezultuam pozitiv me COVID-19, dhe për pasojë, do të jemi në izolim shtepiak dyjavor. Faleminderit!”, ka shkruar Gashi në Facebook derisa ka njoftuar se është njëri ndër qindra të prekurit me koronavirus së fundmi.
Në gjysmën e dytë të këtij muaji, kur edhe u shënuan rritjet rekord të rasteve pozitive me koronavirus në Kosovë, IKSHPK njoftoi se shfaqje të të infektuarve ka edhe në mesin e punëtorëve të organizatave si: Posta e Kosovës, KEK, KEDS, Galeri e arteve, institucione bankare, shëndetësore, agjensione, kompani tregëtare dhe biznese private.
Ndërkaq, vetëm gjatë ditës së djeshme u shënuan edhe 96 raste pozitive, e që 44 prej të cilave janë regjistruar në Prishtinë.