Sot mbahet balotazhi i zgjedhjeve lokale në Francë, pritet rezultat negativ për partinë e Makronit
Të dielën mbahet balotazhi i zgjedhjeve lokale në Francë. Pritet që partia e presidentit Emmanuel Macron të shënojë rezultat negativ, duke dështuar të arrijë fitore në qytetet kryesore.
Në Paris, kryetarja e tanishme nga radhët e socialistëve, Anne Hidalgo, është në rrugë të mirë për një fitore solide pas një fushate jo të organizuar mirë nga Makroni dhe partia e tij LaRem, shkruan “Reuters”.
Ndërkohë Partia e Gjelbër pritet të shënojë rezultate pozitive në qytete të tjera, si Lyon, Marseille dhe Bordeaux, duke përfituar nga momentumi i ndërtuar në zgjedhjet evropiane të vitit të kaluar.
Franca e kishte mbajtur rundin e parë të zgjedhjeve lokale në mes të marsit, më pak se 48 orë para se presidenti i vendit të vendoste masa kufizuese kundër përhapjes së koronavirusit, duke bërë që balotazhi të mbahet me vonesë.
Qeveria franceze pritet të bëjë një riformatim, ku pikëpyetja më e madhe mbetet e ardhmja e kryeministrit Edouard Philippe. Ai është duke garuar për postin që e mbante dikur si kryetar në komunën Le Havre.