Sapo reagoi presidenti Thaçi, thotë disa fjalë në gjuhën shqipe dhe angleze
Presidenti i vendit Hashim Thaçi ka reaguar sot në gjuhën shqipe dhe angleze dhe ka dhënë një mesazh pasi dy ditë më parë u bë publike propozim-aktakuza e Zyrës së Prokurorit të Specializuar, e cila e akuzon atë edhe Kadri Veselin për krime lufte dhe vepra të tjera penale.
Presidenti ka thënë për herë të parë disa fjalë pasi u bë e njohur aktakuza ndaj ti.
Në fakt Thaçi ka zgjedhur rrjetin social Facebook, e ku ka theksuar se në gjuhën shqipe dhe angleze se askush nuk mund ta rishkruajë historinë.
“Askush nuk mund ta rishkruajë historinë e Kosovës! Nobody can rewrite the history of Kosova!”, ka shkruar Thaçi.
Kujtojmë se presidenti Thaçi dje vetëm ka rifreskuar fotografinë e ‘cover’ në rrjetin social Facebook.
Ai aty ka lënë një fotografi me emblemën e UÇK-së.
Thaçi në momentin e publikimit të propozim-aktakuzës ishte rrugës për në Washington. Por, u kthye prapa dhe bisedimet e parapara me delegacionin serb u anuluan.
Zyra e Prokurorit të Specializuar, me seli në Hagë, e njoftoi publikun të mërkurën se më 24 prill ka paraqitur në Dhomat e Specializuara një aktakuzë për shqyrtim, e cila ngarkon presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kryetarin e Kuvendit dhe deputetin aktual të Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, dhe persona “të tjerë” me krime kundër njerëzimit dhe krime lufte, përfshirë vrasje, zhdukje me forcë, persekutim dhe torturë./FaktePlus