A u shkel Rregullorja me njoftimin e djeshëm për propozimin e aktakuzës për Thaçin e Veselin – flasin nga Specialja
Presidenti i vendit Hashim Thaçi, kryetari i PDK-së, Kadri Veseli dhe të tjerë po akuzohen nga Zyra e Prokurorit të Specializuar të Gjykata Speciale, në një aktakuzë ende të pakonfirmuar për një sërë akuzash përfshirë krime lufte, vrasje të paligjshme, tortura, zhdukje të detyruar të personave e përndjekje.
Në fakt përmes një komunikate që u publikua dje, u bë e ditur që qysh në prill Zyra e Prokurorit të Specializuar ia kishte paraqitur Dhomave të Specializuara aktakuzën që ata do të duhej ta shqyrtonin e konfirmonin përmes gjyqtarit të procedurës paraprake.
Por nga shumë njohës të ligjit, bërja publike e kësaj propozim-aktakuze pa u shqyrtuar e vërtetuar nga gjyqtari i procedurës paraprake u pa si akt i paprecedentë e njoftimi si i tillë u pa si tendencioz dhe i shkruar me gjuhë jozyrtare. Të tjerë e panë kohën e publikimit të saj që ishte tre ditë para fillimit të bisedimeve në Washington si veprim politik që e minoi dialogun.
Agjencia e Lajmeve FaktePlus i ka pyetur Dhomat e Specializuara nëse publikimi i kësaj propozim-aktakuze binte ndesh me Rregulloren e Procedurave dhe Provave apo dokumente të tjera ligjore por nga institucioni nuk kanë pranuar të flasin.
“Pa koment”, është përgjigja e dhënë nga Michael Doyle, koordinator për informim në Dhomat e Specializuara.
E shumë komentuar ka qenë edhe një pjesë në komunikatë ku Thaçi e Veseli etiketohen si kriminelë, pavarësisht se ndaj tyre jo vetëm që nuk ka vendim të formës së prerë, por edhe se nuk është konfirmuar as aktakuza.
“Besohet se z. THAÇI dhe z. VESELI kanë ndërmarrë në fshehtësi një fushatë për shfuqizimin e ligjit që krijoi Gjykatën dhe ndryshe kanë penguar punën e Gjykatës në orvatje për t’i bishtnuar drejtësisë, Nëpërmjet këtyre veprimeve, z. THAÇI dhe z. VESELI kanë vënë interesat e tyre vetjake mbi viktimat e krimeve të tyre, sundimin e ligjit dhe popullin e Kosovës”, thuhet në një pjesë të komunikatës.
Nga Dhomat e Specializuara kanë thënë për FaktePlus se për këtë është mirë të lexohet paragrafi i dytë ku në fakt sqarohet se aktakuza është vetëm padi penale.
“Në dëshirojmë të ju referojmë në paragrafin e dytë të deklaratës. ‘Aktakuza është vetëm një padi penale e cila është rezultat i një hetimi të gjatë dhe dëshmon vendosmërinë e ZPS-së se mund t’i provojë të gjitha akuzat jashtë dyshimit të arsyeshëm. Një gjykatës i procedurës paraprake i DHSK-së është duke e shqyrtuar Aktakuzën për të vendosur nëse do t’i konfirmojë akuzat’”, thuhet në përgjigjen e Dhomave të Specializuara.
FaktePlus ka provuar të marrë informacione për personat e tjerë që u përmendën në komunikatë krahas Thaçit e Veselit. Në përgjigjen e Dhomave të Specializuara u tha vetëm se aktakuza bëhet publike jo më vonë se paraqitja e parë e të akuzuarit.
“Sipas Rregullores së Procedurës dhe Provave, aktakuza do të bëhet publike jo më vonë se paraqitja fillestare e të akuzuarit”, tha Doyle.
Në njoftimin e djeshëm veç tjerash u cek se ai u desh të bëhej publik në këtë kohë pasi që Thaçi e Veseli bën ”përpjekje të përsëritura për pengimin dhe sabotimin e Dhomave Speciale”.
“Besohet se z. THAÇI dhe z. VESELI kanë ndërmarrë në fshehtësi një fushatë për shfuqizimin e ligjit që krijoi Gjykatën dhe ndryshe kanë penguar punën e Gjykatës në orvatje për t’i bishtnuar drejtësisë, Nëpërmjet këtyre veprimeve, z. THAÇI dhe z. VESELI kanë vënë interesat e tyre vetjake mbi viktimat e krimeve të tyre, sundimin e ligjit dhe popullin e Kosovës”, shkruhet tutje.
Ndryshe, presidenti Thaçi pas propozim-aktakuzës e kthimit nga Washingtoni sot ka reaguar. Ai ka përditësuar foton e ‘cover’ në Facebook duke e vendosur emblemën e UÇK-së. Reagim tjetër nuk ka bërë. Ndërkohë Veseli dje përmes një konference për media u shpreh se dyshimet e ngritura janë plotësisht të pavërteta, duke e konsideruar veprimin e prokurorit si të pashembullt dhe gjuhën e përdorur shqetësuese.
Reagime për këtë mënyrë të njoftimit nga Specialja e gjuhë ka pasur nga politikanë e njohës të ligjit. Por, të paktë nuk kanë qenë as ata që ia kanë kërkuar dorëheqjen, sidomos presidentit Thaçi.