A po rrezikohen mbjelljet në Kosovë nga reshjet dhe vështrimet, flasin nga Shoqata e Bujqve
Reshjet e ditëve të fundit që po vazhdojnë edhe sot me intensitet të shtuar në gjithë territorin e Kosovës ka rrezik të dëmtojnë sipërfaqe të mëdha të të mbjellave, posaçërisht kulturat e grurit. E rreziku nga reshjet e mëdha ka bërë që të ngritët alarmi edhe nga Agjencioni për Mbrojtjen e Mjedisit, e cila ka paralajmëruar për mundësinë e vërshimeve të shpejta në zonën e Prishtinës me rrethinë, por edhe në pjesën veriore dhe lindore të Kosovës.
Nga reshjet e mëdha ka rrezik që të përmbyten nga uji qindra hektarë tokë bujqësore, por edhe shtëpi banimi.
E reshjet pa ndalur të shiut kanë ngritur alarmin edhe nga Agjencioni për Mbrojtjen e Mjedisit. Ky institucion përmes një postimi në faqen zyrtare në Facebook ka parashikuar që të ketë vërshime qysh sot.
“Reshjet të cilat kanë filluar me intensitet më të lartë gjatë orëve të mëngjesit të datës 23/06/2020, do të vazhdojnë edhe gjatë ditës me intensitet të ndryshuar, të cilat në disa zona do të paraqesin mundësi për paraqitje të vërshimeve të shpejta, siç janë rrjedha e sipërme e lumit Llap, zona e Prishtinës me rrethinë dhe pjesa veriore dhe lindore e Kosovës”, thuhet në njoftimin e AMM-së.
Për ndikimin e reshjeve të mëdha dhe vërshimeve në zhvillimin e bimëve, me theks të veçantë në kulturat grurit, flet kryetari i Sindikatës së Bujqve të Kosovës, Tahir Tahiri, i cili thekson se shpeshherë për shkak të vërshimeve shpeshherë janë shkaktuar shumë telashe tek bujqit.
“Shpresojmë që nuk do të ketë vërshime sepse ato shpeshherë shkaktojnë telashe të mëdha tek bujqit. Po uroj që nuk do të kemi vërshime”, tha Tahiri për FaktePlus.
Kurse sa i përket reshjeve të shiut ditët e fundit, Tahiri thotë se janë të mirëseardhur, por thekson se nëse këto reshje vazhdojnë atëherë mund t’i dëmtoj bujqësinë, respektivisht kulturat bujqësore.
“Këto të reshura janë shumë të mirëseardhura por kulturat bujqësore tani për tani por edhe për grurin dhe misrit dhe perimeve tjera. Në disa pjesë ka pak më shumë dhe shpresojmë që nga nesër do të ndryshon moti ashtu edhe si janë parashikimet . Por nëse zgjasin këto të reshura shkaktojnë kushte për paraqitjen e sëmundjeve të ndryshme tek kulturat bujqësore. Mendoj që nuk ka ardhur në atë gjendje situata dhe janë të mirëseardhura këto reshje dhe do të ndikojnë te gruri dhe formimi i kokrrës. Kurse tek të tjerat, është herët të konstatohet”, theksoi Tahiri.
Ndërkaq, Tahiri tregon se sipas situatës aktuale sivjet Kosova do të ketë grurë kualitativ.
“Te gruri është duke përfunduar faza e qumështit dhe këto të reshura janë të mira. Mendoj se gruri këtë vit është në gjendje të mirë, kuptohet ata që kanë kryer masat agroteknike, mendoj që sivjet çdo të kemi grurë kualitativ”, shpjegoi ai.
Kujtojmë se degradimi prej vitesh i shtretërve të shumë lumenjve në Kosovë, po ndikon në rritjen e rreziqeve nga vërshimet.
Reshjet e shiut, tashmë që disa vite po krijojnë probleme të shumta duke rritur nivelin e ujit, çka si pasojë kanë sjellë edhe vërshime në rajone të ndryshme të vendit./FaktePlus