Cakaj për fillimin e dialogut në Uashington: Shqiptarët sa herë kanë qenë afër SHBA-ve, kanë qenë gjithmonë fitues!
Shqiptarët e Luginës së Preshevës dje kanë bërë historinë. Në zgjedhjet parlamentare të Serbisë, ata arritën të fitojnë dy mandate. Ky triumf erdhi pasi ata garuan me një listë te vetme, e ai që bashkoi spektrin politik atje, ishte pikërisht Ministri në Detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme Gent Cakaj.
Ky fundit ka thënë se thelbi i gjithë kësaj ndërmarrjeje nuk ka qenë numri i mandateve, por e rëndësishme sipas tij është që pjesmarrja dhe mbështetja ka qenë masive, fakt ky që tregon se shqiptarët e kanë mbështetur listën e Luginës së bashkuar.
Sa i përket spektrit politik në Maqedoninë e Veriut, ai për herë të parë rrëfen se ka qenë i angazhuar edhe në këtë proces, por që sipas tij rrethanat atje dallojnë nga ato në Luginën e Preshevës.
“Unë këtë po e them për herë të parë, kam qenë i angazhuar, kam pasur edhe komunikim aktiv me të gjitha partitë politike shqiptare në Maqedoninë e Veriut, rrethanat atje janë pak më ndryshe. E para partitë politike atje kanë një historik të angazhimeve të tjera, kanë një tjetër, shqiptarët vet ekzistojnë në një konstilacion tjetër politik, është çështje e vullnetit të partive politike atje se si do të garojnë, ne e kemi bërë përpjekjen tonë për të mundësuar më të mirën për shqiptarët atje, jemi po ashtu ende në komunikim të rregullt me të gjitha partitë shqiptare.
E rëndësishme është të theksohet se shqiptarët atje nuk mund të trajtohen si një pakicë e vogël sepse janë një element shtetformues dhe specifikat e Maqedonisë së Veriut janë krejtësisht ndryshe nga ato në Luginën e Preshevës. Fundja mos të harrojmë se shqiptarët janë pjesë e qeverisë në Maqedoninë e Veriut dhe kanë pas një rol shumë të madh edhe në kalimin e Marrëveshjes së Prespës edhe në anëtarimin në NATO edhe në udhëheqjen e vetprocesit të integrimit evropian dhe në këtë kuptim, nuk mund të ketë një krahasim thjeshtëzues mes shqiptarëve që jetojnë në Luginën e Preshevës, përkatësisht në Serbi dhe shqiptarëve si element shtetformues të integruar në institucionet e Maqedonisë në anën tjetër”.
Ministri shqiptar për Indeksonline ka folur edhe për rifillimin e procesit të dialogut mes Kosovës e Serbisë. Ai pa dashur të flas për pritjet e tij personale, ka përmendur një fakt, e që sipas tij është se shqiptarët sa herë kanë qenë afër SHBA-ve, gjithnjë kanë dalë fitues.
“S’dua të flas për pritjet e mija personale, por dua ta nënvizoj fare zëshëm një fakt, e ai fakt është se shqiptarët sa herë kanë qenë afër SHBA-ve kanë qenë gjithmonë fitues, mos të bëhet dikush që Amerika komploton kundër shqiptarëve e Kosovës sepse Kosova nuk do të ishte këtu ku është pa mbështetjen e SHBA-ve, dhe ajo çfarë është e padiskutueshme është nevoja për besim në SHBA-të në mbështjetjen e SHBA-ve në këtë proces dhe shqiptarët nuk kanë pse frikësohen kur SHBA-të janë garant i një marrëveshje të caktuar dhe theksoj publikisht nevojën që Serbia ta njeh Republikën e Kosovës”.
Krejt në fund Cakaj thotë se kudo dhe kurdo herë që SHBA-të involvohen në procese të tilla, ne duhet të kemi parasysh që ato janë vetëm në favor të Kosovës dhe Kosova pa diskutim që do të jetë fituese prej tyre.