Haxhi do të mbahet sivjet, por me numër “shumë të kufizuar” të pelegrinëve
Arabia Saudite ka njoftuar se do të mbajë një Haxh “shumë të kufizuar” këtë vit për shkak të pandemisë së koronavirusit, me haxhinjtë që tashmë jetojnë në mbretëri që do të lejohen të marrin pjesë në pelegrinazhin që fillon në fund të korrikut.
“U vendos që të zhvillohet pelegrinazhi këtë vit me një numër shumë të kufizuar … me kombësi të ndryshme në mbretëri”, tha të hënën agjencia zyrtare saudite e shtypit, duke cituar ministrinë e Haxhit, shkruan Al Jazeera.
Po sipas të njëjtit medium, vendimi vjen në dritën e rritjes së rasteve të COVID-19 në të gjithë botën, mungesën e një vaksine dhe vështirësinë për të mbajtur një distancë të sigurt sociale midis një numri të madh të pelegrinëve që vijnë nga jashtë, thuhet në deklaratë.
Ndryshe, më shumë se dy milionë njerëz kryejnë pelegrinazhin vjetor në qytetin e shenjtë të Mekës çdo vit, duke përfshirë shumë që udhëtojnë nga jashtë.
Siç vlerësohet më tej, përcjell Telegrafi, Haxhi, një domosdoshmëri për myslimanët e aftë të paktën një herë në jetën e tyre, paraqet një burim të mundshëm kryesor të “ngjitjes së virusit” pasi aty gjenden shumë afër njëri-tjetrit miliona pelegrinë.
Një anulim i Haxhit do të përfaqësonte edhe një humbje të madhe të të ardhurave për mbretërinë, e cila tashmë po tenton të këndellet nga goditjet e shkaktuara nga virusi dhe një rënie në çmimet e naftës.
Gjithsesi, një Haxh në shkallë të plotë, i cili vitin e kaluar tërhoqi rreth 2,5 milionë pelegrinë, nuk ka gjasa pasi autoritetet këshilluan myslimanët në fund të marsit të shtyjnë përgatitjet për shkak të sëmundjes që përhapet me shpejtësi.
Gjithashtu, që nga fundi i shkurtit, mbretëria ka pezulluar Umrah në Mekë për shkak të shpërthimit të virusit.