Kosnett: Administrata Trump e përkushtuar që dialogu Kosovë-Serbi të funksionojë
Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Philip Kosnett, ka thënë se Administrata e Donald Trump është thellësisht e përkushtuar që dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë të funksionojë.
Ai ka thënë se ky proces duhet të shihet si shumë i rëndësishëm për të ardhmen e Kosovës.
“Gjithmonë është e lehtë që ta bindësh veten që të mos ulesh për të zgjidhur problemet. Por nuk mund të bësh progres në asnjë marrëdhënie problematike duke i injoruar problemet dhe duke refuzuar që të flasësh, progresi bëhet duke folur”.
“Mendoj se fakti që qeveria e SHBA-së dhe administrata e Donald Trump është thellë e përkushtuar që ky proces të funksionojë, duhet të shihet si shumë i rëndësishëm për të ardhmen e Kosovës”.
I pyetur në Klan Kosova se a sheh gatishmëri tek lidershipi i Serbisë që ta zgjidhë çështjen me Kosovën, Kosnett ka thënë se “është në interesin e tyre, përndryshe nuk do të merrnin fare pjesë në këtë proces”.
“Unë mendoj se duhet të shohim se çfarë do të ndodhë. Oh dhe tani njerëzit do të thonë – ai tha do të shohim se çfarë ndodhë – kjo nënkupton se rusët do të përfshihen, unë e di…e di”.
“Shiko, të presim dhe shohim se çfarë do të arrijnë ambasadori Grenell dhe kolegët e tjerë në Uashington me delegacionet, të shtunën, dhe të mos flasim për çështje hipotetike, pyetja për përfshirjen e Rusisë është çështje shumë hipotetike. Pra, le të fokusohemi në ato që janë reale”.