Hoti thotë se në Bruksel takon vetëm krerët e BE-së dhe se do të flasë për vizat
Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka konfirmuar takimin në Bruksel më 25 qershor. atje do të takohet me krerët e BE-së, por nuk do të takohet me të Dërguarin Special të BE’së për dialogun, Miroslav Lajcak, dhe as me palën serbe.
‘’Si Kryeministër i Kosovës, më 25 qershor në Bruksel takohem me Kryetaren e Komisionit Evropian, znj. Ursula von der Leyen, Kryetarin e Këshillit të Evropës, z. Charles Michel, Komisionerin për Zgjerim z. Oliver Varhelyi, dhe Kryetarin e Komisionit për Punë të Jashtme të Parlamentit Evropian dhe Nënkryetarin e EPP, z. David McAllister.’’, ka thënë Hoti.
‘’Do të bisedojmë për: (1) hapat që kemi ndërmarrë në luftën kundër COVID-19, (2) për mbështetjen nga ana e KE për rimëkëmbjen ekonomike, si dhe (3) për liberalizimin e vizave për shtetasit e Kosovës, proces i cili ka ngecur jo për shkak të mos përmbushjes së standardeve nga ana e jonë.’’, shtoi ai.
Tutje ai ka thënë se prej Brukselit do të udhëtojë drejt Uashingtonit për dialog me Serbinë në Shtëpinë e Bardhë.