Me gjithë situatën me pandeminë UP-ja mban provimet e prillit, afati i qershorit javën tjetër
Ndonëse ditëve të fundit numri i rasteve me Covid-19 është duke shënuar ngritje, në Universitetin e Prishtinës nuk ka një vendim për shtyrjen e provimeve ose mbajtjen online.
Deri në fund të javës së kaluar studentët kanë pasur mundësi t’iu nënshtrohen nga 2 provimeve sipas afatit të prillit, i cili nuk ishte realizuar me kohë, kurse nga java e ardhshme nis afati i qershorit, ku studentët mund t’iu nënshtrohen të gjitha provimeve.
Përfaqësues të UP-së kanë bërë të ditur se përderisa nuk paraqitet ndonjë rast me COVID-19 në fakultete, mbajtja e provimeve në mënyrë fizike nuk do të ndërpritet.
Prorektori për mësim dhe çështje të studentëve, Hysen Bytyqi, thotë se deri tash nuk kanë informacione që në ndonjë njësi akademike të jetë paraqitur ndonjë rast pozitiv.
E nëse del ndonjë, sipas tij, do ta shqyrtojnë mundësinë që provimet të realizohen online, raporton KOHA.
Derisa prodekania për çështje mësimore në Fakultetin e Edukimit, Majlinda Gjelaj, thotë se deri tash në këtë fakultet nuk është shënuar ndonjë rast pozitiv dhe se gjatë mbajtjes së provimeve janë respektuar rekomandimet e IKSHPK-së, si ruajtja e distancës e bartja e maskave e dorëzave.
Në rast se Universiteti kërkon që provimet të mbahen online, sipas saj, Fakulteti i Edukimit nuk do ta ketë problem organizimin.
Që nga mesi i marsit ligjëratat janë mbajtur online për shkak të shfaqjes së pandemisë në Kosovë.
Ndërkohë javë më parë Ministria e Shëndetësisë me rekomandim të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike kishte lejuar që provimet të mbahen në fakultete.
Po ashtu, ishte lejuar edhe mbajtja e Testit të arritshmërisë dhe maturës nëpër shkolla, mirëpo pas reagimit të prindërve dhe shtimit të rasteve me Covid-19, ministri i Arsimit, Ramë Likaj, mori vendim që të shtyhen deri në fund të gushtit.