16 muaj vonesa për lëshimin e lejeve të ndërtimit në Prishtinë
Komuna e Prishtinës gjatë vitit 2019 ka pasur vonesa në lëshimin e lejeve të ndërtimit. Nga 15 leje të ndërtimit, në 10 prej tyre kishte vonesa nga një deri në 16 muaj.
Kjo është gjetur gjatë auditimit të komunës se Prishtinës për vitin 2019.
“Nga testimi i 15 lejeve të ndërtimit, në 10 raste ka vonesa në lëshimin e lejeve brenda afatit ligjor, prej një muaj e deri me 16 muaj vonesa”, thuhet në raportin e Zyrës Kombëtare të Kosovës.
Përveç kësaj, në këtë raport thuhet se edhe numri i madh i kërkesave për leje të ndërtimit dhe mosmbajtja e lëndëve sipas udhëzimeve shkakton vonesa.
“Po ashtu, edhe numri i madh i kërkesave për leje të ndërtimit dhe mosmbajtja e lëndëve në mënyrë të organizuar sipas Udhëzimit Administrativ të MMPH me Nr. 06-2917, ku përcaktohen kërkesat për kushte ndërtimore, dokumentacioni dhe mënyra e kompletimit të lëndës, nga ana e zyrtarëve shkaktojnë vonesa në kompletimin e dokumentacionit dhe vonesa në lëshimin e lejeve të ndërtimit”, thuhet në raport.
Ndërkaq, sipas nenit 17 të Ligjit të Ndërtimit thuhet se leja ndërtimore lëshohet nga organi kompetent brenda 30 ditëve pas pranimit të kërkesës për leje ndërtimore për kategorinë I dhe 45 ditëve për kategoritë II dhe III.
Auditori shkruan se vonesat në lëshimin e lejeve të ndërtimit pamundësojnë mbledhjen me kohë të të hyrave.
Sipas ZKA-së, kryetari i komunës së Prishtinës, duhet të sigurojë që janë duke u respektuar afatet ligjore me rastin e lëshimit të lejeve të ndërtimit, kur kërkesat janë plotësuar nga organet kompetente që kanë bërë kërkesën për lejen ndërtimore.