7 raste të reja me COVID-19 në Podujevë, të gjithë pjesëtarë të FSK-së
Edhe shtatë raste të reja me koronavirus janë konfirmuar sot në Podujevë.
Rastet pozitive janë raste kontakti dhe të njëjtit janë ushtarë të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK). Kështu ka thënë për Llapi.info epidemiologia e QKMF-së në Podujevë, Bedrie Rama.
Burimi i infeksionit, sipas Ramës, është një koleg i tyre me vendbanim në Vushtrri. Rama ka deklaruar se sot testime për koronavirus s’ka pasur nga kjo Komunë, ndërsa për rastet pozitive ka shtuar se testimi i tyre është bërë në Prishtinë.
“Shtatë raste të reja me COVID-19 nga Podujeva janë konfirmuar sot. Të njëjtit janë testuar në Prishtinë dhe punojnë në FSK. Personat pozitivë janë ushtarë në Forcën e Sigurisë. Sipas informatave të njëjtit janë infektuar nga një koleg i tyre nga Vushtrria. Nesër do t’i gjurmojnë dhe identifikojmë rastet e kontakteve të personave që sot kanë rezultuar pozitivë”, ka shtuar Rama.
Rama ka theksuar se në Podujevë ka shkuar në 18 numri i rasteve aktive me virusin korona.
“Me rastet e sotme ka shkuar në 18 numri i rasteve aktive nga Komuna e Podujevës. Momentalisht të gjithë të infektuarit janë me gjendje të mirë dhe stabile”, ka thënë ajo.
Epidemiologia Rama ka apeluar sërish tek qytetarët që t’u përmbahen rekomandimeve të IKSHPK-së, duke ruajtur distancën, t’i pastrojnë duart dhe t’i përdorin maskat mbrojtëse.
Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të mërkurën ka regjistruar 77 raste të reja me koronaviurs në Kosovë. Përveç rasteve të reja, sot nuk është bërë e ditur për ndonjë pacient të shëruar.
Sipas të dhënave të fundit, në Kosovë, që prej shfaqjes së rasteve të para me koronavirus më 13 mars, e deri më tash, janë regjistruar 1.833 raste, prej tyre, 34 pacientë kanë vdekur.