Qeveria voton projektligjin për plotësimin e buxhetit të vitit 2020
Në mbledhjen e sotme të Qeverisë së Kosovës është votuar për projektligjin për plotësimin e ligjit për ndarjen buxhetore për vitin 2020.
“Kemi bërë veprimin kryesor drejt fillimit të zbatimit të programit tonë për rimëkëmbje ekonomike”, ka thënë Kryeministri Avdullah Hoti në konferencë.
“Është dashtë mobilizimi i mbi 600 milionë euro për të mbuluar mungesën e të hyrave prej 232 milionë si pasojë e pandemisë. Fondi për rimëkëmbje ekonomike prej 385 milionë. Ky fond e kompenson rënien ekonomike dhe do të ndahet për masat për rimëkëmbje ekonomike”.
“Jam shumë me besim që përmes mobilizimit të këtyre mjeteve nga burimet tona, buxheti i shtetit dhe mbështetja nga donatorët do të arrijmë zbatimin e masave për rimëkëmbje ekonomike, jo vetëm masat emergjente. Buxheti do t’i dërgohet shpejt Kuvendit të Kosovës për miratim dhe lus deputetët që ta fusin këtë projektligj në procedurat e kuvendit”.
Hoti përmes futjes në ekonomi deri në vjeshtë të 385 milionë euro, ka paralajmëruar edhe pjesën tjetër të fondit prej 1.2 miliardësh.
“Ky është vetëm fillimi, një program shumë më i pasur do të prezantohet në vjeshtë të këtij viti. Kur ta votojmë buxhetin për vitin 2021 do të tregojmë saktë se si do ta mobilizojmë pjesën tjetër të fondit 1.2 miliardësh që do të futet në ekonomi gjatë këtij vitit dhe vitit tjetër. 385 milionë direkt si ndihmë direkte për biznese dhe qytetarë për të tejkaluar koston e kësaj pandemie. Ndikimi në ekonomi pritet të jetë rreth 4-5 përqind”.