Fluturimet ende të pezulluara, nga ANP tregojnë kur fillon punën trafiku ajror në Kosovë
Sikur në pjesën më të madhe të vendeve të Evropës e botës edhe në Kosovë që nga 13 marsi janë marrë një sërë masash për parandalimin e përhapjes së virusit, duke bërë kështu kufizime të shumë aktiviteteve e pezulluar thuajse në tërësi trafikun ajror.
E pas më shumë se dy muaj izolimi me nisjen e aplikimit të masave lehtësuese u paralajmërua se nga fillimi i muajit qershor do të nisin edhe fluturimet në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”.
Madje ministri aktual i infrastrukturës, Arban Abrashi ditë më parë tha se Aeroporti i Prishtinës do të fillojë punën brenda 10 ditësh, mirëpo kanë kaluar ditët dhe fluturimet ende nuk po realizohen.
“Po bëjmë përpjekje që brenda dhjetë ditësh të bëhet rifillimi i plotë i fluturimeve ndërkombëtare, duke respektuar plotësisht udhëzimet për masat e sigurisë për parandalimin e COVID-19 (sëmundjes që e shkakton koronavirusi), të lëshuara nga Agjencioni Evropian i Sigurisë së Aviacionit (EASA) dhe udhëzimet tjera nga Ministria e Shëndetësisë”, ka thënë Abrashi më 9 qershor.
E zotim të ngjashëm bëri edhe ministri i Shëndetësisë nga radhët e LDK-së, Armend Zemaj.
“Brenda pak ditësh do të marrim vendim për hapjen e aeroportit, gjithnjë sipas rekomandimeve të mjekëve, autoriteteve përkatëse dhe Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës/IKSHPK”, tha Zemaj.
Mirëpo jo gjithçka shkoi mirë, pasi ka tri ditë që të gjitha fluturimet janë anuluar. Sipas një njoftimi8 të Aeroportit të Prishtinës, fluturimet janë të anuluara edhe për nesër (18 qershor 2020).
Zëdhënësja e aeroportit, Valentina Gara në një prononcim për Agjencinë e Lajmeve FaktePlus tha se fluturimet po vazhdojnë të anulohen sepse Qeveria nuk po iu jep leje.
“Fluturimet nga Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës janë anuluar për shkak se Qeveria nuk po iu jep leje kompanive për të ateruar tek ne”, ka thënë Gara.
Datën se kur do të fillojnë fluturimet, Gara thotë se nuk e di ende, mirëpo që janë në pritje të vendimit të Qeverisë.
“Se kur do të fillojnë fluturimet nga ANP nuk e dimë, por jemi në pritje”, tha Gara.
Zëdhënësja Gara shton se kundo që merret vendimi e lejohen fluturimet do të jenë të gatshëm t’i respektojnë masat që rekomandohet nga IKSHPK-ja.
“Kurdo që të fillojnë fluturimet, ANP do të jetë e gatshme t’i respektojë rekomandimet e IKSHPK- së”, u shpreh Gara.
Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës “Adem Jashari” është mbyllur për qarkullim që nga mesnata e 18 prillit, për shkak të çrregullimit të trafikut ajror në Evropë si pasoj e përhapjes së koronavirusit.
Pandemia e shkaktuar nga koronavirusi ka dëmtuar tej mase bizneset në gjithë globin, por më së shumti duket se ka dëmtuar trafikun ajror.
Kjo pasi prej muajsh fluturimet komerciale në gjithë botën janë ndaluar plotësisht dhe janë bërë në numër të vogël vetëm me organizime të shteteve për riatdhesime.
Kështu ka ndodhur edhe në Kosovë qysh nga ditët e para kur Organizata Shëndetësore e Shëndetësisë (OBSH) e ka shpallur koronavirusin pandemi globale më 11 mars. Prej atëherë udhëtimi ajror i pasagjerëve gati se është ndaluar plotësisht./FaktePlus