“Ekziston rrjeti i njerëzve që ndikojnë në Agjencinë e Kosovës për Akreditim” VIDEO
Agjencia e Kosovës për Akreditim (AKA) është institucion që merret me akreditimin e programeve të universiteteve publike e private. Puna e saj ndër vite duket t’i ketë penguar një grupi njerëzish deri në atë masë saqë kanë filluar të bëjnë presione të formave të ndryshme.
Të paktën këtu ka thënë në emisionin “Amfiteatër” ish-kryetarja e Këshillit Shtetëror të Cilësisë, Ferdije Zhushi, e cila ka rrëfyer ngjarjet gjatë kohës sa e drejtonte këtë organ.
“Kanë ardhur shantazhe e konfliktet, deri në momentin kur dikujt i ka penguar një frymë e tillë në Agjenci dhe normalisht dikujt është dashur t’ia lëshojmë rrugën që të bëhen gjëra të tjera… Ata që kanë pasur interesa që të mos e shohin një agjenci të fuqishme. Unë nuk mund të flas me emra, për shkak se është një rrjet i cili ende funksionon në arsimin e lartë, i cili ende mendon se këtu ende mund të bëhet sipas direktivave politike. Kjo vazhdon edhe sot. Drejtori i ri i Agjencisë për Akreditim ka presion prej personave të njëjtë”, ka thënë Zhushi gjatë debatit të emisionit “Amfiteatër.
Sipas saj, tendencat për ndërhyrje politike kanë ekzistuar edhe asokohe, por me punën e tyre kanë arritur ta ndalojnë një gjë të tillë.
“Kemi pasur probleme, jo në fillim, por më vonë, për ta mbrojtur pavarësinë e Agjencisë, e cila është shumë e rëndësishme për të qenë pjesë e rrjeteve ndërkombëtare. Ka pasur tendencë për ndërhyrje, por me veprimet tona dhe me një farë mburoje nuk kemi lënë ndërhyrje në atë kohë. Nëse duam agjenci të akreditimit, ajo duhet patjetër të jetë e pavarur”, ka thënë Zhushi në emisionin “Amfiteatër”.
Presione të tilla vazhdojnë edhe sot. Këtë e ka konfirmuar edhe kryetari aktual i Këshillit Shtetëror të Cilësisë, Gazmend Luboteni. Në emisionin “Amfiteatër” ai ka thënë se ka pasur fushata të rrepta kundër tyre, me qëllimin e vetëm që ta shkarkojnë edhe përbërjen e aktuale të Këshillit.
“Është e vërtetë dhe pajtohem plotësisht. Meqenëse ka pasur ndërhyrje, sidomos në janar të vitit të kaluar, ka qenë një fushatë shumë e fuqishme ndaj Këshillit Shtetëror të Cilësisë. Emra nuk kemi, por ka pasur presione që të shkarkohemi edhe ne”, ka thënë Luboteni.
Ndërhyrjet politike në vitin e kaluar çuan në largimin e Kosovës nga ENQA.
Zhushi ka thënë se me përjashtimin e Kosovës nga ENQA kemi çuar mesazhin se ne nuk i kemi respektuar standardet e udhëzuesit për sigurimin e cilësisë, të cilat duhet t’i respektojnë agjencitë, që ndër të tjera është edhe pavarësia e institucionit.
Ajo ka shtuar se, nga përvoja e saj, anëtarësimi asokohe në këto institucione ka qenë shumë i vështirë, duke e ndier si dhimbje të madhe shkatërrimin e një suksesi që është arritur me shumë punë.
Edhe tashmë ish-ministrja e Arsimit, Hykmete Bajrami, ka thënë për emisionin “Amfiteatër” se procesi i ripranimit në ENQA mund të zgjasë deri në dy vjet, duke shtuar se më i vështirë është rianëtarësimi sesa anëtarësimi për herën e parë./FaktePlus/