Vulaj: Derisa Evropa të dëshmojë se ka kapacitete ne duhet të shikojmë drejt SHBA-së
Analisti Martin Vulaj, ka thënë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kosovën e kanë interes të tyre kombëtar.
“Pas luftës Amerika ia ka dorëzuar Kosovën, Evropës. Amerika ka prit shtatë vjet e gjysmë, nga viti 2000 deri më 2007 dhe është mësuar nga mosrealizimet e Evropës për çështjen e Kosovës. George Bush pa dëshirën e Evropës e ka deklaruar Kosovën të pavarur. Amerika ka në interes strategjik kombëtar shtetin sovran të Kosovës, në NATO dhe OKB. Kjo është në interes të Amerikës”, ka thënë Vulaj.
“Lajmi për rifillim të dialogut është lajm i mirë që Kosova të kthehet në binarë. Ka dyshime, gjëra të ndryshme por miqësia me Kosovë-Amerikë nuk duhet të vihet në dyshim. Administrata po thekson nevojën e zhvillimit ekonomik të rajonit”.
Vulaj në Klan Kosova ka theksuar se Evropa është treguar shumë e dobët në rastin e Kosovës.
“Nuk kanë pasë vullnet të mjaftueshëm. Nuk është se nuk ia duan të mirën Kosovë, por kanë konflikte te brendshme. Deri Evropa të dëshmojë se ka kapacitete ne duhet të shikojmë drejt SHBA-së. Është e vetmja që na ka sjellë gjëra konkrete, njohjen e shtetit, ushtrisë dhe anëtarësimin nëpër organizata ndërkombëtare”.