Lajçak para mediave: Mandati im, ta arrij marrëveshjen ligjërisht të obligueshme mes Kosovës e Serbisë
Pas përfundimit të takimit me presidentin Hashim Thaçi, Përfaqësuesi i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak është deklaruar para mediave ku tha se BE është shumë serioze kur të bëhet fjalë për këtë proces.
Lajçak po ashtu tha se Bashkimi Evropian ka punuar afër me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe gjithçka që është arritur sa i përket dialogut Kosovë-Serbi është rezultat i një bashkëpunimi shumë të ngushtë.
Gjithashtu përfaqësuesi i BE-së, Lajçak deklaroi se do të vazhdojë komunikimin edhe me kryetaren e Kuvendit, kryeministrin dhe gjithë përfaqësuesit shtetërorë të Kosovës lidhur me çështjen e dialogut.
“Kjo është vizita ime e parë në këtë kapacitet si përfaqësues i BE-së për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë dhe në këtë rast pata takim në emër të 27 vendeve të Bashkimit Evropian. BE është shumë serioze kur bëhet fjalë për këtë proces dhe mandati im është që të ndihmoj dhe të arrihet një marrëveshje legalisht e obligueshme në mes Kosovës dhe Serbisë, që do të rregullonte të gjitha marrëdhëniet në mes këtyre dy vendeve e që do të ishte e pranueshme për të dy këto vende dhe vendet e tjera përreth. Pata një bisedë konkrete me presidentin Thaçi për planin, elementet, metodologjinë dhe do të vazhdojmë komunikimin tonë edhe me përfaqësuesit e tjerë të Kosovës me kryetaren e Parlamentit, kryeministrin, partitë politike dhe po ashtu do ta vazhdoj vizitën time në Beograd në mënyrë që të fillojnë përgatitjet tona për procesin e dialogut”, tha ai.
I pyetur nëse do të marrë pjesë në rifillimin e dialogut më datën 27 qershor të paralajmëruar nga i Dërguari i Posaçëm i Presidentit amerikan, Donald Trump, Ambasadori Richard Grenell, Lajçak u përgjigj kështu:
“Shpresojmë që ky proces, të vazhdojë dhe do të ketë takim së shpejti edhe në Bruksel. Nuk e di por ajo që di është se Bashkimi Evropian ka punuar afër me ShBA-në dhe gjithçka që është arritur në dialogu është rezultat i një bashkëpunimi shumë të ngushtë në mes BE-së dhe ShBAesë dhe do të doja të vazhdojë ky komunikim i ngushtë me ShBA-në”, tha ai.