AGK: Prokurori i Shtetit me qasje selektive për aktakuzën ndaj Endrit Shalës
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK), po thotë se Prokurori i Shtetit ka treguar qasje selektive me rastin e aktakuzës ndaj ish-ministrit Endrit Shala, për sulmin ndaj gazetarit Ensar Ramadani
Përmes një reagimi, AGK thotë se Prokurori i Shtetit nuk ka njoftuar për ngritjen e aktakuzës ndaj ish-ministrit.
“AGK shprehet tejet e shqetësuar me qasjen selektive të Prokurorit të Shtetit, i cili në pothuajse të gjitha rastet e tjera njofton publikun në lidhje me ngritjen e aktakuzave, ndërsa në këtë rast ka anashkaluar këtë praktikë. Qasja e tillë selektive përbën shkelje të Ligjit të Prokurorit të Shtetit, i cili njoftimin e publikut duhet ta bëjë në mënyrë të drejtë dhe në kohë të arsyeshme, sikurse vepron për të gjitha palët”, thuhet në reagim.
AGK po kërkon nga organet e drejtësisë që t’i trajtojnë me seriozitet rastet e sulmeve dhe kërcënimeve ndaj gazetarëve.
“AGK kërkon nga organet e drejtësisë që t’i trajtojnë me seriozitet rastet e sulmeve dhe kërcënimeve ndaj gazetarëve në mënyrë që t’iu mundësohet përmbushja e rolit të tyre jetik për garantimin dhe zhvillimin e demokracisë në vend. Dënimet e merituara duhet të jenë të pashmangshme në të gjitha rastet e sulmeve apo kërcënimeve ndaj gazetarëve, të cilat raportohen në vazhdimësi”, thuhet në reagimin e AGK-së.
Deputeti i Kuvendit të Kosovës, që përfaqëson Nismën Socialdemokrate, është akuzuar nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, për sulmin që pretendohet se ia ka bërë gazetarit të portalit “Indeksonline” Ensar Ramadani, më 17 dhjetor 2019.
Lajmin për “Betimi për Drejtësi” e ka konfirmuar zëdhënësja e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Laureta Ulaj.
“Prokuroria Themelore në Prishtinë, më 10.02.2020, ka ngritur Aktakuzë ndaj personit me inicialet E.Sh., në drejtim të veprës penale “Sulmi”, nga neni 184 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Prokurori i çështjes, rastin e ka proceduar në Gjykatën Themelore në Prishtinë për trajtim të mëtejmë”, thuhet në përgjigjen e Ulajt.
Ish-ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala, për këtë rast është duke u akuzuar pas dyshimeve se më 17 dhjetor 2019, deri sa ishte para hyrjes së Klinikës Emergjente të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) dhe pas disa shkrepjeve të fotografive që i kishte bërë gazetari i “Indeksonline”, e kishte sulmuar këtë të fundit