Zemaj: Nuk e di se kur do të lejohet të mbahen dasmat
Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj sot ka prezantuar manualin për mbrojtje nga përhapja e COVID-19, në kohën kur vendi po përballet me rritje të numrit të rasteve të reja.
Zemaj tha se manuali përmban udhëzues të hartuar nga profesionistët shëndetësorë të Institutit Kombëtar i Shëndetësisë Publik të Kosovës dhe të aprovuar nga Ministria e Shëndetësisë.
Ai nga kjo konferencë për media pati një mesazh të qartë: përdorini manualin, bartni maska, mbani distancën dhe mirëmbani higjienën.
“Manuali ka rekomandime të cilat janë zbatuar në fazat e më hershme të menaxhimit të pandemisë. Të gjitha institucionet respektive obligohen të zbatojnë masat e përcaktuara në këtë manual varësisht nga specifikat e tyre. Ministria do të ndajë këtë manual me të gjitha institucionet qendrore dhe ato lokale si dhe me publikun e gjerë, me qëllim që të përdorin të gjithë si një instrument për mbrojtjen nga përhapja e më tejme e pandemisë Covid-19. Ne besojmë se nga masat e marra nga qeveria dhe rekomandimet IKSHP-së do të na mundësojmë që të kontrollojmë shpërthimin e COVID-19 dhe në këtë aspekt të gjitha pjesët e shoqërisë, përfshirë bizneset, dhe punëdhënësit duhet të luajnë rolet e tyre nëse duhet të ndalojmë përhapjen e kësaj sëmundje. Përballë shifrave në rritje të rasteve me Covid-19 nuk guxojmë të sillemi sikur nuk po ndodhë asgjë dhe të shpërfillim një virus, i cili po manifeston shenja agresiviteti, duke dëmtuar shëndetin, mirëqenien dhe ekonomitë”, deklaroi Zemaj.
Ministri i Shëndetësisë foli edhe për kërkesat e estradës për lejimin e dasmave, i cili tha se janë në bashkëpunim me të gjitha institucionet përkatëse lidhur me vendimin e mundshëm për hapjen e masave për mbajtjen e ahengjeve dhe dasmave, teksa shtoi se nuk e di kur do të ndodhin këto lehtësime.
“Ne kërkojmë zbatim të masave, rekomandimet të përcillen me dinjitet dhe të respektohen me dinjitet, atëherë edhe lehtësimi për hapje të tjera do të jetë i afërt dhe sigurisht domosdoshmëri e zhvillimit ekonomik dhe kthimit në normalitet të jetës së qytetarëve të Republikës së Kosovës. Dua të jem i përgjegjshëm para juve dhe para atyre që I takova, nuk jam ithtar i ditëve edhe orëve, por ne po punojmë në vazhdimësi që të ketë lehtësime, por mbi të gjitha ta ruajmë menaxhimin e situatës, sepse numri është në rritje, edhe dje, edhe sot do të jetë në rritje, sipas analizave mund të jetë edhe pasnesër derisa inkubimi i ndodhur pas hapjes së datës 30 del gjithnjë në sipërfaqe, por ta fusim nën kontroll. Edhe unë po shoh këtu shumë gazetar/e të njohur, masat vlejnë edhe për ju, rekomandimet edhe për ata. Liria e lëvizjes vlen edhe për ju edhe për ata, njëjtë sipas këtij manuali”, tha Zemaj.
Drejtori ekzekutiv i IKSHPK-së, Naser Ramadani u ka bërë apel qytetarëve dhe subjekteve që të zbatojnë rekomandimet, pasi deri më tash ka dështuar implementimi i masave mbrojtëse nga qytetarët.
Ramadani tha se nëse situata shkon duke u përkeqësuar si pasojë e mos përgjegjësisë për zbatimin e masave, do të detyrohen të intervenojnë kthimin e masave në pikën zero.
Ai tha se profesionistët shëndetësorë nuk mund të lejojnë të vdesin njerëz nga papërgjegjësia e të tjerëve.
“Eventualisht nëse nuk i përmbahemi këtij manuali, do të jetë faza e fundit të saj, do të kthehemi në pikën zero. Ju premtoj si profesionist, ne nuk do të lejojmë që të vdesin njerëzit për shkak të pakujdesisë së të tjerave. Pra, profesionistët shëndetësorë me gjithë mundin e vet, disa qe pesë muaj pa ndërprerë dhe me nga 20 orë punë në ditë, nuk do të lejojmë të vdesin njerëzit për shkak të pakujdesit të të tjerëve”, tha Ramadani.
Sa u përket testeve, ai tha se për momentin në Kosovë janë duke u kryer teste me metodën RT-PCR, ndërsa më tej do të vendoset bashkë me MSh-në për teste serologjike në fazat e mëtejme.
Ndryshe, nga data 8 shkurt deri më 14 qershor, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK me metodën RT-PCR, janë testuar gjithsej 18.512 persona të dyshimtë në virusin SARS-CoV-2 dhe prej tyre pozitivë rezultojnë̈ gjithsej 1.486 raste, nga të cilët 33 me përfundim fatal.