Vizitën e Lajçakut analistët e shohin si përpjekje të BE-së për ta rimarrë rolin në dialog
Përfaqësuesi Special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, pritet që së shpejti ta vizitojë rajonin, në funksion të rinisjes së negociatave mes dy vendeve. Edhe pse zyrtarisht Brukseli, e as qeveria e Kosovës nuk e kanë zbardhur ende datën as agjendën e takimeve, “Koha” merr vesh se ai do të qëndrojë në Prishtinë të martën, ku do t’i takojë liderët institucionalë.
Vizitën e Lajçakut në Prishtinë, njohës të rrethanave e shohin si përpjekje të BE-së për ta rimarrë rolin ndërmjetës në dialog, kohën kur po kërkohet që udhëheqja e procesit t’i besohet ShBA-së.
Vizita e Lajçakut e gjen të përçarë spektrin politik, edhe pas ndryshimeve në qeveri. Ndërkaq presidenca nuk ka treguar nëse Thaçi do t’i shkojë deri në fund përcaktimit që të mos e takojë Lajçakun, përderisa BE-ja nuk ia heq vizat Kosovës.
Drejtoresha ekzekutive e platformës Civikos, Donika Emini thotë se mungesa e unitetit dhe qasja refuzuese e presidentit ndaj negociatorëve evropianë e ka dëmtuar procesin.
Pas heqjes së pengesave, janë shtuar zërat që kërkojnë rinisjen e negociatave. Të dielën presidenti i Partive Popullore Evropiane, Donald Tusk, në letrën e urimit për kryeministrin Hoti ka thënë se dialogu me Beogradin duhet të rifillojë me energji të re, shkruan KOHA.
“Jam i bindur se do të udhëzoheni nga vlerat tona të EPP-së dhe se parimet e sundimit të ligjit, pavarësia e gjyqësorit dhe lufta kundër korrupsionit do të jenë të larta në agjendën tuaj. Dialogu me Beogradin gjithashtu duhet të rifillohet me energji të re: me të vërtetë, duket se tani është një moment i ri për këtë”, ka thënë Tusk.
Përfshirje aktive në fazën e ardhshme të dialogut do të kenë edhe Shtetet e Bashkuara nëpërmjet emisarit të presidentit Trump.
Por në zyrën e Ambasadorit Richard Grenell nuk kanë treguar se kur do të organizohet një takim me palët dhe cili do të jetë bashkëpunimi i tyre me evropianët.
“Faleminderit për pyetjet tuaja, por fatkeqësisht nuk kam asgjë për ju”, ka thënë Dick Custin nga Zyra e emisarit të SHBA-së.
Kohën kur dialogu i Brukselit ndodhej në bllokadë, me ndërmjetësimin e Grenellit u nënshkruan disa marrëveshje të vullnetit të mirë mes Kosovës dhe Serbisë për hapjen e linjave hekurudhore dhe ajrore.