Pushuesit ia mësyjnë plazheve të Shqipërisë, nuk i ndal koronavirusi
Me hapjen e kufijve zonat turistike të vendit kanë pasur këtë të djelë më shumë gjallëri. Plazhi i Shëngjinit është frekuentuar më tepër se fundjavat e mëparshme.
Sezoni turistik ka nisur në Shëngjin. Pushuesit nga Kosova dhe nga qytete të tjera të vendit janë vizitorët e parë që po respektojnë masat dhe distancimin social si një mënyrë për të vijuar normalisht pushimet.
Ajo që ra në sy ishte vendosja e çadrave e peshqirëve në tokë si në kohë të komunizmit. Mbeturinat nuk kanë munguar.
“Tani është më mirë, pasi edhe kufiri është hapur. Kemi banesën këtu, kemi një javë që kemi ardhur”, shprehet një pushues.
Një pushues nga Kosova thotë se kanë pak frikë nga covid, por për ti bërë qejfin fëmijëve u detyrua të qëndrojë një ditë.
“Kemi ardhur sot prej dëshirës së madhe, por nuk është situata e duhur. Kanë shumë që duan të vijnë po kanë frikë nga situata e krijuar për shkak të virusit”, shprehet ai.
Më vakët duket në Tale të Lezhës. Administratorja e Njësisë në Shënkoll, Lina Guri beson se ky plazh do të ketë pushues, por do të jenë ata tradicionalë.
“Jemi plazh familjar dhe do vijnë nga zonat përreth si çdo vit, pasi kemi rënë kurative”, u shpreh ajo.
Ndërsa në bregdetin e Vlorës motit me diell nuk mund t’i rezistonin dot as turistë të huaj, spikatën disa nga Bjellorusia që mbërritën në vendin tonë ditën e premte.
Prej pandemisë jemi pak me vonesë krahasuar me sezonet e mëparshme. Megjithatë kanë mbërritur dhe turistët e parë të huaj.
“Është hera e parë që vizitoj Vlorën. Mendoj se është një qytet i bukur dhe njerëzit janë të këndshëm dhe mikpritës”, shprehet një turiste e huaj.
“Janë pushime të vërteta. Kisha një ëndërr të vija në det se dje kisha ditëlindje dhe doja ta festoja këtu. Ëndrra mu bë realitet”, thotë një tjetër turiste.
Edhe pse nuk ka plazh Voskopoja është një tjetër destinacion ku gjatë fundjava preferohet nga turistët.
Sot ka marrë gjallëri si i ka hije Voskopojës. Janë turistë që kanë mbërritur nga qytet të ndryshme të Shqipërisë.
Pushuesit pas disa muaj të izoluar prej pandemisë thotë se po kënaqe në këtë pikë turistike dhe po përpiqen të mbrohen e të mbajnë distancë.
“Jemi çlodhur pak, se ishim mbyllur edhe për shkak të pandemisë”, tregon një pushuese.
Gjithsesi krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë rënia e numrit të pushuesve është e dukshme si në det ashtu dhe në mal.