Veturat elektrike si bazë për rimëkëmbjen ekonomike evropiane
Gjermania ka vendosur të shpenzojë miliarda euro në formë mbështetjeje për të ulur çmimin e veturave elektrike në kuadër të pakos së madhe stimuluese për të ndihmuar prodhuesit e mëdhenj si “Volkswageni” që të shesin automobila më të mirë për ambientin.
Qeveria e Gjermanisë do të dyfishojë ndihmën ekzistuese në 6 000 euro për veturat elektrike që kushtojnë deri 40 mijë euro, sipas partisë kristiandemokrate të kancelares Angela Merkel. Nxitja për blerje të këtyre automobilave shkon deri në 9 000 euro, ku përfshihet edhe kontributi nga prodhuesit.
Blerësit potencialë të automobilave me rrymë do të përfitojnë edhe nga ulja e taksave të shtetit nga 19 për qind në 16.
Pakoja stimuluese
E gjithë kjo ndihmë është paraparë si pjesë e pakos gjigante 130 miliardë euroshe të aprovuar nga Qeveria e Gjermanisë në fillim të qershorit.
Ajo është e planifikuar që të ndihmojë ekonominë më të madhe evropiane të rikuperohet nga efektet e shkaktuara prej pandemisë së koronavirusit.
Subvencionet për automobilat elektrikë pritet të shkojnë deri 2.2 miliardë euro, ndërsa prodhuesit e veturave dhe kompanitë përkrahëse do të përfitojnë edhe dy miliardë të tjerë për t’ua ndihmuar hulumtimin dhe zhvillimin.
I pyetur për këto subvencione, ministri gjerman i Financave, Olaf Scholz, ka thënë se janë pjesë e përpjekjes së gjerë për të ndihmuar klimën. “Kjo është vetëm për energjitë e ripërtërishme. Kjo është për aktivitetet e domosdoshme që të kemi ekonomi pa karbon në vitin 2050. Duhet të nisim tani”, ka thënë ai për “CNN”.
Pakoja e përgjithshme stimuluese është në vlerën e 4 për qind të vlerës së prodhimit të përvitshëm. Kur kombinohet me shpenzimet e mëhershme dhe uljen e taksave, pakoja e përgjithshme emergjente në Gjermani tashmë arrin vlerën e 14 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto.