Tahiri thotë se Qeveria do të pranojë çfarëdo vendimi që merr Kushtetuesja për deputetin Arifi
Zëvendëskryeministri Besnik Tahiri ka thënë se Qeveria Hoti do të pranojë çfarëdo vendimi që do të marrë Gjykata Kushtetuese për ankesën e Vetëvendosjes për kushtetutshmërinë e pjesëmarrjes dhe votimit të deputetit Etem Arifi për qeverinë e re.
Sipas VV-së, Arifi pasi është dënuar me aktgjykim të formës së prerë ka humbur mandatin dhe si rrjedhojë votimi i Qeverisë Hoti ka qenë i pavlefshëm.
“E para, prezenca e deputetëve në sallë rregullohet me Rregulloren e brendshme të Kuvendit. Sekretaria është e obligueshme t’i tregojë kryetarit apo kryetares se kjo është e mundshme apo jo. Nëse rasti ka shkuar në Kushtetuese dhe merret një vendim që s’është në favor të Qeverisë, duhet të kuptojë secili se nuk mund të kontestohet Gjykata Kushtetuese. Është e padiskutueshme. Kjo s’duhet të ndodhë kurrë. Duhet të pranohet normalisht. Duhet të mësohemi njëherë e përgjithmonë t’i ndajmë detyrat. Vendimi është obligativ. S’kemi substancë tjetër të ankimimit. Kam qenë ithtar i VLAN-it dhe kur u mor vendimi më pati lënduar, por është vendim i Kushtetueses dhe ndodhi çka ndodhi”, ka deklaruar Tahiri për KTV-në.