Mitrovica e Veriut dhe Podujeva pa kryetar – Presidenca tregon kur mbahen zgjedhjet
Dy Qeveritë e fundit në Kosovë, kjo aktualja që drejtohet nga Avdullah Hoti, si dhe qeveria që udhëhiqej nga Albin Kurti, i lanë Podujevën dhe Mitrovicën e Veriut pa kryetar komune.
Komuna e Podujevës është pa kryetar që katër muaj, saktësisht nga 3 shkurti i këtij viti, kurse komuna e Mitrovicës së Veriut që nga 3 qershori. Krerët e këtyre komunave vendosën që të lënë komunat për të marrë postet e ministrave në qeveri.
Agim Veliu kishte marrë postin e ministrit të Punëve të Brendshme kur ishte formuar Qeveria Kurti në shkurt të këtij viti. Pas këtij vendimi presidenti kishte marrë vendim që Podujeva të shkonte në zgjedhje ndërsa detyrat e kryetarit do t’i ushtronte Nexhmi Rudari, atëherë nënkryetar.
Mirëpo rrethanat e krijuara me pandeminë e koronavirusit bën që një ditë para mbajtjes së tyre, ato zgjedhje të anuloheshin dhe të shtyhen për më vonë.
Ndërsa me formimin e Qeverisë së kryesuar nga Avdullah Hoti të mërkurën e kaluar, pra më 3 qershor Goran Rakiqi mori postin e zëvendëskryeministrit. Kjo bëri që edhe Mitrovica e Veriut të shkonte në zgjedhje.
Kështu tash e një kohë dy komuna mbetën pa ‘zot shtëpie’.
Agjencia e Lajmeve FaktePlus ka pyetur Zyrën e Presidencës rreth mundësisë për caktimin e një date për mbajtjen e zgjedhjeve në këto dy komuna.
Nga kjo Zyrë kanë thënë se vendimi i presidentit Hashim Thaçi lidhur me këtë çështje do të merret varësisht rrethanave të krijuara me koronavirusin.
“Presidenti në mënyrë të vazhdueshme po e përcjellë ecurinë e gjendjes së krijuar me pandeminë dhe në konsultim me KQZ-në dhe institucionet shëndetësore, varësisht prej rrethanave, do ta marrë vendimin e duhur”, thuhet në përgjigjen e Zyrës për Informim të Presidencës dhënë për FaktePlus.
Të njëjtën se organizimi i zgjedhjeve varet nga situata me pandeminë, e kishin thënë për FaktePlus edhe nga Komisioni Qendror Zgjedhor.
“Sikurse në të kaluarën, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të përmbushë detyrat e veta kushtetuese dhe ligjore. Ndërkaq, lidhur me situatën specifike në të cilën ndodhemi për shkak të pandemisë, ne nuk mund të japim një përgjigje për aspektet që kanë të bëjnë me shëndetin e qytetarëve pasi janë institucionet tjera përkatëse dhe profesionale që e kanë fushë të përgjegjësisë së tyre”, kishte thënë për Fakte Plus Valmir Elezi, zëdhënës në KQZ.
Ndryshe nga dega e VV-së në Podujevë kanë dërguar në KQZ kërkesën për mbajtjen e zgjedhjeve lokale atje./FaktePlus