Këshilltari i Osmanit – Thaçit: Hashim, në libra historie je, por historisë sate i ke rënë me vulën e turpit
Pas vet Vjosa Osmanit, edhe këshilltari i saj, Faton Peci, përmes një postimi të bërë në Facebook, ka reaguar ndaj deklaratave të presidentit Thaçi në adresë të familjes së kryeparlamentares.
Ai ndër të tjera tha se “Hashimokracia do ta ketë fundin njësoj sikurse regjimet kësisoj që e dhunojnë jetën e qytetarëve”.
Ky është postimi i plotë i tij:
Kur një president i vendit shndërrohet në makineri propagande e shpifjesh, ai më nuk përngjet me këtë post. Ai mbetet vetëm një kusar politik që po ia vjedhë të ardhmen çdo ditë qytetarëve të këtij vendi. Këtij “presidenti” qyqar e vetmja armë për të qëndruar në skenë i ka mbetur shpifja jo vetëm ndaj kryeparlamentares, por secilit që ia thotë të vërtetën troç. Hashimokracia e ka një fund siç kanë fund edhe shpifjet e njeriut që është shndërruar në patron të Kosovës.
Hashimokracia do ta ketë fundin njësoj sikurse regjimet kësisoj që e dhunojnë jetën e qytetarëve! Kjo përhanie e njeriut që nominalisht njihet si president shpërfaq klimaksin politik që e ka mbërthyer atë.
Hashim, në libra historie je, por historisë sate i ke rënë me vulën e turpit.
Hashim, me të drejtë ke ngatërruar termet “dëshmi” dhe “prokurori”.
Për vetëm një javë, ti je i pandehur real për çdo instancë! Hashim, ti mërmërit, karvani ecën!