Kurti del në terren, Vetëvendosje bëhet gati për zgjedhje
Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti ka vizituar qendrat e Lëvizjes Vetëvendosje në Besianë, Kastriot dhe Fushë Kosovë, të cilat edhe kanë vënë pikat për nënshkrimin e peticionit për zgjedhje.
Në njoftimin në faqen zyrtare të VV-së, thuhet se mijëra qytetarë po nënshkruajnë çdo ditë peticion për zgjedhje.
Njoftimi i plotë:
Sot, Kryetari Kurti vizitoi qendrat e Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Besianë, Kastriot dhe Fushë Kosovë, të cilat edhe kanë vënë pikat për nënshkrimin e peticionit. Gjatë vizitës në Besianë, së bashku me deputetët Saranda Bogujevci dhe Shpejtim Bulliqi, ata takuan qytetarë që po nënshkruanin për zgjedhje të reja, me të cilët bashkëbiseduan edhe për rëndësinë e mbajtjes së zgjedhjeve lokale në atë qytet, të shtyra për shkak të pandemisë, që pritet të mbahen së shpejti.Mijëra qytetarë po nënshkruajnë çdo ditë peticionin, të vetëdijshëm që zgjedhjet janë burim i legjitimitetit për një shtet demokratik dhe jo një procedurë lehtësisht e mënjanueshme apo e zëvendësueshme. Zgjedhjet nuk janë e gjithë demokracia, por nuk mund të ketë demokraci pa zgjedhje.