Cakaj: Me Qeverinë Kurti bëmë punë të mirë, raportet tona nuk duhen ndikuar nga ndryshimet e pushtetit
Ministri në detyrë për Evropën dhe punë të jashtme i Shqipërisë, Gent Cakaj, ka deklaruar se me Qeverinë Kurti, për aq sa ka pasur mandat, institucionalisht ka arritur të kurorëzojë marrëveshje të rëndësishme.
“Për aq ditë sa kanë qenë në detyre, me Qeverinë Kurti unë personalisht mendoj se kemi bërë punë që e konsideroj të vyer, edhe pse rrethanat s’kanë qenë krejtësisht në favorin tonë për shkak të pandemisë”.
Cakaj po ashtu u shpreh se bashkëpunimi i mirë do të vazhdojë edhe tani me qeverinë e re në vendin tonë.
“Tani edhe Qeverisë Hoti ia shtrij dorën e bashkëpunimit. Do të punoj mirë edhe me Meliza Haradinajn. Politika jonë duhet të jetë afatgjate, strategjike dhe koherente. Marrëdhënia Kosovë-Shqipëri nuk duhet të ndikohet nga marrëdhëniet e politikanëve mes vete apo ndryshimet e pushtetit”, tha Cakaj në Klan Kosova.