A ka biseduar LDK-ja për përjashtimin e Vjosa Osmanit? Flasin nga strukturat e larta
Fadil Gashi, kryetar i Degës së LDK-së në Klinë dhe anëtar i Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së, ka dhënë detaje për takimin e djeshëm të strukturave të LDK-së në të cilin është diskutuar edhe për zyrtarët e partisë të cilët kundërshtojnë vendimet që nxjerrë partia. Gashi ka thënë se nuk është diskutuar me emra të përveçëm.
Ai tutje ka thënë se LDK-ja nuk merr vendime të gabuara dhe se vendimet e partisë duhet respektuar gjithmonë dhe jo vetëm atëherë kur i shkojnë përshtati dikujt.
“Nuk ka vendim të gabuar në LDK, sepse çdo vendim që e marrin organet e subjektit tonë organet e votojnë. Nëse ka votu Këshilli i Përgjithshëm unanimisht”.
“Individi nuk duhet me pranu një vendim të këshillit veç kur i bjen mirë, ky është vendim i strukturës jo i individit. Secili zyrtar i LDK-së duhet me ju mbajt vendimeve tona”, ka thënë ai në T7.
Ai ka thënë se në takimin e djeshëm nuk është diskutuar për shkarkimin e askujt dhe sipas tij LDK nuk njihet për masa ekstreme ndaj anëtarëve të partisë.
“Nuk është debatuar askënd me shkarku, LDK deri sot që po flasim nuk ka dhënë ndonjë shembull ekstreme të masave. Me thanë të drejtën e kam pa një konstrukitvitet te të gjithë kryetarët e degëve mbrëmë”, ka potencuar ndër të tjera Fadil Gashi.
Tutje ai ka folur edhe për deklaratat e fundit të Lutfi Hazirit. Gashi thotë se Haziri pavarësisht deklarimeve në fund respekton vendimet që merr partia.
“Lutfi Haziri ka dhënë shumë për LDK-në është konstruktiv siç ka qenë gjithmonë. Haziri jep deklarata por gjithmonë e thotë që unë i respektoj vendimet e partisë. U bisedu për secilin zyrtar të LDK-së që nuk i bindet urdhrave tona”, ka shtuar ai.