A do të ketë sërish shtyrje të kësteve të kredive, flasin nga BQK
Banka Qendrore e Kosovës ende nuk ka vendosur nëse do të ketë sërish shtyrje të afatit për pagesën e kësteve të kredive, shkaku i situatës me pandeminë. Një vendim i tillë pritet që të merret ditëve në vijim. Sipas këtij institucioni, veç deri në fund të prillit, për shtyrje të kësteve të kredive janë dorëzuar mbi 66 mijë kërkesa, vlera e të cilave shkon në 1.6 miliard euro.
Pandemia ua ka zbrazur xhepat shumë kosovarëve. Mbyllja e bizneseve gjatë këtyre muajve, ka bërë që shumë prej tyre të mos kenë para që t’i paguajnë këstet e kredive.
E për t’ua lehtësuar situatën, Banka Qendrore e Kosovës kishte marrë vendim që afati i shtyrjes së pagesës së kësteve të kredive të jetë 3 muaj, nga data 16 mars deri me 16 qershor 2020.
Por, tashmë kur kanë mbetur edhe një javë nga 16 qershori, Banka Qendrore ende nuk ka marrë vendim nëse do të ketë shtyrje të sërishme të afatit për kredi ose jo.
Zëdhënësi i BQK-së, Kushtrim Ahmeti ka thënë se do të vazhdojnë të monitorojnë zhvillimet ekonomike dhe ato në sektorin financiar dhe se varësisht prej kësaj do të merret një vendim.
“Në momentin kur lirohen masat kufizueses dhe fillojnë punën të gjitha veprimtaritë ekonomike konsiderojmë se përfundon edhe masa emergjente e vendosur gjatë muajve të kaluar. Sidoqoftë, ne do të vazhdojmë së monitoruari me shumë kujdes zhvillimet ekonomike dhe ato në sektorin financiar në mënyrë që të japim kontributin tonë të mëtejmë në rimëkëmbjen e ekonomisë, por gjithmonë duke vendosur në plan të parë ruajtjen e stabilitetit financiar që është edhe detyra primare e BQK-së”, ka thënë Ahmeti.
Ai ka treguar se vetëm deri në fund të prillit, janë pranuar mbi 66 mijë kërkesa për shtyrje të kredive, vlera e tërësishme e të cilave është 1.6 miliard euro.
Sipas BQK-së, këtyre kërkesave u janë përgjigjur pozitivisht sektori bankar. Për biznese thotë se janë aprovuar 99 për qind e kërkesave për shtyrje, derisa për persona fizik 86 për qind e kërkesave.
“Deri më 30 prill 2020, shuma e tërësishme e kredive për të cilat është kërkuar shtyrje të kësteve të tyre është 1.6 miliardë euro, apo 51.7 përqind e gjithsej portofolit kreditor. Janë gjithsej 66,818 kërkesa për shtyrje të kredive, apo 14.4 përqind e gjithsej numrit të kredive. Është e rëndësishme të theksohet fakti se sektori bankar iu është përgjigjur pozitivisht kërkesave të bizneseve dhe personave fizik për shtyrje të pagesës së kësteve të kredive, ku për biznese janë aprovuar 99 përqind e kërkesave për shtyrje dhe për persona fizik 86 përqind”, thuhet në përgjigjet e Ahmetit drejtuar Express.
Ndryshe, Banka Qendrore kishte kërkuar nga bankat që të mos aplikojnë interes ndëshkues e ndryshim të klasifikimit kreditor ndaj kredimarrësve gjatë periudhës së pandemisë, derisa kishte bërë me dije se nuk do të kërkojë provizione shtesë nga këto institucione, për kreditë e shtyra.
“Gjatë kësaj periudhe institucionet kredidhënëse nuk do të aplikojnë interes ndëshkues, nuk do të aplikojnë ndryshim të klasifikimit kreditor ndaj kredimarrësve dhe BQK-ja nuk do të kërkojë provizione shtesë nga këto institucione, për kreditë e shtyra. Ndërkohë, interesi i rregullt për këta tre muaj do të përllogaritet, pagesa e të cilit do të shpërndahet për periudhë së paku gjashtëmujore apo më herët, në rastet e maturimit të kredive para kësaj periudhe”, kishte njoftuar BQK-ja.