Ende në pritje – Sot testohen për koronavirus 30 fëmijët e çerdhes “Xixëllonja” në Prishtinë
Tashmë në Kosovë janë lehtësuar masat e lëvizjes së njerëzve dhe thuajse të gjitha bizneset kanë rifilluar veprimtarinë. E me fillim të këtij muaji nisën punën edhe kopshtet e çerdhet për fëmijë. Por, rritja e rasteve me koronavirus ditëve të fundit ka sjell probleme në kryeqytet, duke detyruar autoritetet që sërish t’i mbyllin çerdhet.
Në fakt gjatë ditëve të vikendit në Prishtinë u konfirmuan dhjetëra raste me koronavirus, në mesin e të cilëve thuhet se pati familjarë të një edukatoreje dhe dy fëmijë të që shkonin në çerdhet publike në Prishtinë.
Për këtë shkak javën e kaluar u mbyllën tri çerdhe nën dyshimin se mund të ketë të infektuar dhe si masë parandaluese për përhapjen e koronavirusit.
Njëra prej çerdheve të mbyllura është edhe “Xixëllonja”, e cila ndaloi punën për shkak se bashkëshorti i një edukatore është i infektuar me koronavirus.
Si rrjedhojë u vendos të testohen 30 fëmijë, si raste kontakti.
Drejtori i Shëndetësisë në Prishtinë, Bujar Gashi tha për Agjencinë e Lajmeve FaktePlus se testimi i fëmijëve nuk është kryer ende dhe se ata pritet të testohen nga IKSHPK-ja gjatë ditës së sotme (e martë).
“Testimi i 30 fëmijëve pritet të bëhet sot, mirëpo ne nuk e dimë saktë se kur dalin rezultatet për ta”, tha Gashi
Nga rasti i parë e deri tani në Prishtinë janë regjistruar 110 raste me koronavirus, prej të cilëve një pjesë e madhe janë të shëruar, por që ende ka një numër të konsiderueshëm të rasteve aktive.
Drejtori Gashi ka dhënë detaje për të infektuarit aktual në komunën e Prishtinës. Ai tha se gjendja e tyre tani për tani është stabile.
“Për momentin në Prishtinë janë 110 persona të infektuar dhe gjendja e tyre është stabile. Situata në komunën tonë është e menaxhueshme dhe kapacitetet janë të mjaftueshme”, u shpreh Gashi.
Marrë parasysh të dhënat e fundit nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik të Kosovës (IKSHPK) deri tani janë raportuar 1,263 persona të prekur me koronavirus. Prej tyre, 912 pacientë janë shëruar, derisa janë 31 të tjerë që kanë vdekur./FaktePlus
Kryetari Ahmeti tregon pse është mbyllur një çerdhe në Prishtinë