Ahmeti: Një person e përhapi koronavirusin në Prishtinë, janë testuar edhe 100 mostra
Mbrëmë në Komunën e Prishtinës janë identifikuar 10 raste të reja me koronavirus.
Lidhur me këtë kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti ka mbajtur një konferencë për media.
Ai tha se Prishtina tanimë i ka 31 raste aktive me Coronavirus.
“Pas shumë kërkesave të gazetarëve e kemi thirr këtë konferencë në Prishtina. I kemi 106 raste prej fillimit të pandemisë, tani janë 31 raste aktive, pra 31 raste me Coronavirus. 10 prej tyre pritet që të shërohen”, ka njoftuar Ahmeti.
E të gjitha këto raste, sipas Ahmetit, kanë ardhur pas lehtësimit të masave dhe pas Festës së Fitër Bajramit.
“Kur e ka marrë vendimin MSH që të filloj faza e tretë kemi pritur që të ketë rritje të numrave të rasteve por ideja është që ketë ta kemi në kontroll, që mos të kthemi prapa në masat e marra nga MSh. Tash po i shohim pasojat e Fitër Bajramit dhe të rihapjes”, ka thënë tutje ai.
Duke folur për 10 rastet e fundit me Coronavirus, në Prishtinë, Ahmeti ka thënë që kanë ardhur nga një person i vetëm.
“Të gjitha këto janë nga një person i cili ka pasur shumë kontakte ku ka punuar me një organizatë. Dy fëmijëve të tij ne dy çerdhe në Prishtinë dhe ne për kujdes si kemi mbyllur dhe dezinfektimi. Nesër do t`i bëjmë kontrollet e atyre fëmijëve se a janë edhe ata bartës të virusit. Jemi duke punuar se ku janë kontakte e tyre sot i kemi testuar mbi 100 persona, një çerdhe e kemi mbyllë çerdhen “Xixellonjat” pasi që burri i një edukatore ka rezultuar pozitiv”, ka thënë tutje ai.
Ahmeti poashtu theksoi se rregullat e vendosura nga IKSHPK-ja nuk janë duke u respektuar as nga gastronomia.
“Nuk kemi vend për panik e as për tu kthyer në masat e mëhershme, pra deri më tani nuk mendojmë se ka hapësirë për masat tjera, një gjë që duhet ta themi është fakti se rregullat nga IKShPK-ja nuk janë duke u respektuar as nga gastronomia, rekomandimi është se nëse keni kontakt është mirë të izoloheni dhe mos të keni raste tjera”, ka thënë ndër të tjera i pari i Prishtinës.