Sherri me karrige, kthehet në vendin e vet Driton Selmanaj
Qeveria e kryesuar nga Avdullah Hoti i LDK-së, e votuar të mërkurën me 61 vota pro, nuk e nisi edhe aq mbarë punën.
Fillimisht, ajo nuk i pati të gjitha votat as brenda partive që e përbëjnë. Nga LDK-ja e AAK-ja nuk e dhanë të gjithë votën ndërsa edhe nga Nisma, deri në fund ishte i pasigurtë për ta dhënë votën pro, shefi i grupit parlamentar Haxhi Shala.
Ndërkohë, edhe në ditën kur u mbajt mbledhja e parë kishte ndodhur një incident. Agjencia e Lajmeve FaktePlus kishte mësuar se zëvendëskryeministri nga LDK-ja, Driton Selmanaj dhe zv/kryeministrja nga radhët e Nismës, Albulena Balaj-Halimaj kishin një përplasje rreth asaj se kush do të ulej përbri Avdullah Hotit, në anën e majtë të tij.
Debati kishte vazhduar për disa minuta dhe ishte rrezikuar mbajtja e mbledhjes së parë të Qeverisë.
Edhe pse ky vend i takonte Selmanajt, aty ishte ulur Balaj-Halimaj.
FaktePlus kishte provuar të kontaktonte me të dy protagonistët e ngjarjes, por asnjëri s’ishte përgjigjur.
Ndërkohë, në mbledhjen që u mbajt mund të shihet që ka ndryshuar vendosja në karrige e Selmanajt e Balaj-Halimajt.
Selmanaj është kthyer në të majtë të Hotit, kurse zv/kryeministrja nga Nisma aty ku ishte Selmanaj.
Ndryshe, Qeveria Hoti sot vendosi që të hapej kufiri me Shqipërinë. Po ashtu me propozimin e ministrit të Shëndetësisë, Armend Zemaj, u vendos që të gjithë qytetarët që hyjnë në Kosovë nuk do të vetizolohen, porse për ta do të ketë kontrolle të detajuara mjekësore.
Ndërkohë dje Qeveria kishte hequr masat e reciprocitetit me Serbinë./FaktePlus
Karrigia hap sherr në Qeverinë Hoti, për pak të anulohet mbledhja e parë