Zeka: Pasojat e pandemisë në ekonomi do të vërehen edhe në vitin 2021
Rimëkëmbja ekonomike pas përfundimit të pandemisë së shkaktuar nga Coronavirusi, do të jetë sfidë për Kosovën, nëse nuk ndërhynë shteti brenda dhjetë ditësh, thotë kryetari i Odës Ekonomike Amerikane të Kosovës (OEAK), Arian Zeka.
Zeka thotë se Qeveria në krye me Avdullah Hotin, duhet të merret me urgjencë aprovimin e programit gjithëpërfshirës të rimëkëmbjes ekonomike.
“Qeveria e re duhet të merret me urgjencë me hartimin dhe sigurimin e aprovimit nga ana e Kuvendit të një programi gjithëpërfshirës të rimëkëmbjes ekonomike, duke e ditur ndikimin tejet negativ që ka pasur pandemia COVID-19 në sektorin privat në veçanti edhe ekonominë e vendit në përgjithësi”.
“Nga ekspozeja e kryeministrit Hoti ditën kur e prezantoi kabinetin qeveritar, realisht reflektonin disa prej atyre që kanë qenë edhe rekomandime të Odës Ekonomike Amerikane por edhe të Asociacionit të Biznesit, kjo është inkurajuese. Plani i propozuar ishte ambicioz por nuk është diçka që nuk mund të realizohet”.
“Me rëndësi është që të ketë një proces gjithëpërfshirës të dialogimit para aprovimit të tij. Ky program duhet të hartohet brenda dhjetë ditësh, megjithatë ekziston një bazë solide e rekomandimeve që janë dhënë nga ne dhe kjo do duhej që ta lehtësonte punën”, tha ai
E shifra prej 1 miliard euro e propozuar nga Avdullah Hoti për mobilizimin e zbatimit të Pakos për Rimëkëmbje Ekonomike, po shihet si e realizueshme nga Zeka, megjithatë thotë se e rëndësishme është të ndodhë.
“Unë besoj se do të jetë e realizueshme. Shifra korrespondon pak a shumë me atë që është prezantuar në atë draft-programin e rimëkëmbjes së Qeverisë së kaluar. Nuk e di nëse do të ndihmojë në adresimin proporcional të dëmeve, megjithatë ajo çfarë tha Kryeministri Hoti, është që kjo pako e rimëkëmbjes do të pasojë një vlerësim të ndikimit që pandemia ka pasur në ekonomi”.
“Besoj që kjo është e rëndësishme të ndodhë. Poashtu kemi të dhëna zyrtare nga ATK-ja që tregojnë për një rënie të qarkullimit në rreth 45 për qind, që korrespondon me atë që ne si OEAK e kemi thënë vazhdimisht që ndikimi i pandemisë ka qenë afro në normën deri në 50 për qind”, ka thënë Zeka.
Teksa ka folur për pasojat që ka lënë kjo pandemi, Zeka ka thënë se dëmet do të vërehen pashmangshëm edhe përgjatë vitit 2021, raporton EO.
“Pashmangshëm që efektet dhe pasojat e pandemisë në ekonomi do të vërehen edhe përgjatë vitit 2021, ndoshta jo për tërë vitin por në një pjesë të konsiderueshme të muajve të parë. Një parashikim i mëhershëm i Bankës Botërore thoshte që nëse pandemia merr fund, pastaj rikuperimi i plotë mund të arrihet brenda 2021″.
“Gjithmonë duhet ta kemi në konsideratë që ne kemi qenë më të vonshëm dhe jo nuk kemi ofruar reagimin adekuat në atë që ka qenë faza emergjente e pandemisë dhe sot e kësaj dite vazhdojmë të marrim ankesa nga ana e bizneseve për mos dizbursimin e mjeteve të parapara me masat e pakos emergjente fiskale. Po flas për kompensimin e pagave dhe shpenzimeve operacionale, gjegjësisht të qirave gjë që ende nuk ka ndodhur”, tha ai.