Pas heqjes së reciprocitetit, SHBA kërkon rinisjen e dialogut
Qeveria e Kosovës gjatë mbledhjes të mbajtur të shtunën shfuqizoi masat e reciprocitetit ndaj Serbisë, me qëllim që, siç u tha, t’i jepet shansë rinisjes së dialogut me Serbinë. Pas këtij vendimi, Shtetet e Bashkuara kërkuan që bisedimet të rinisin sa më shpejtë që të jetë e mundur.
Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti tha se me heqjen e reciprocitetit, Kosova ka hequr të gjitha pengesat për vazhdimin e dialogut me Serbinë.
“Kemi marrë një vendim të rëndësishëm sot, duke i hequr pengesat për procesin e dialogut, në përputhje me zotimet që kemi dhënë para partnerëve tanë ndërkombëtarë”.
“Tani presim që të njëjtën gjë ta shohim nga pala serbe, që të heqin të gjitha pengesat dhe t’i japin frymë procesin e dialogut. Por, ne ruajmë të gjitha të drejtat tona, si shtet sovran, që të vendosim të gjitha masat e nevojshme, për të ruajtur sovranitetin tonë, në koordinim me partnerët tanë”, tha kryeministri Hoti, duke shtuar se shfuqizimi i masave të reciprocitetit është bërë për një kohë të arsyeshme, që t’i jepet shansë dialogut, por theksoi se nuk mund të japë një datë të saktë se për sa kohë ky vendim do të mbetet në fuqi.
Kryeministri Hoti tha se për vendimin për shfuqizimin e masave të reciprocitetit është koordinuar me partnerët ndërkombëtarë. Ai tha se gjatë takimit që ka pasur të premten me ambasadorin amerikan në Prishtinë, Philip Kosnett ka marrë zotimin se Shtetet e Bashkuara do të ndihmojnë që Serbia po ashtu të heqë pengesat për dialog, siç është fushata për çnjohjet e pavarësisë së Kosovës.
“Kemi një dakordim me miqtë tanë ndërkombëtarë që presioni i tyre do të jetë edhe karshi Serbisë, që edhe ata të heqin pengesat për dialog dhe pasi të heqin ato pengesa për dialog, ne do të ulemi në tavolinën e bisedimeve”, tha Hoti.
Hoti tha se ai është i gatshëm që menjëherë sapo Serbia të ndalë fushatën e çnjohjeve, të rinisë dialogun me ta, dhe potencoi se procesin e dialogut do ta udhëheqë ai dhe jo presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi.
“Jemi të gatshëm që të ulemi menjëherë në tavolinën e dialogut. Kryeministri i vendit, në bazë të kompetencave kushtetuese, e udhëheqë dialogun. Edhe po të doja unë, nuk mund t’i transferoj kompetencat e mija kushtetuese, as te presidenti e as te askush tjetër. Unë nuk dua dhe nuk do t’i transferoj ato kompetenca”, tha Hoti gjatë konferencës për media pas mbledhjes së qeverisë.
SHBA-ja kërkon rifillimin e dialogut
Shtetet e Bashkuara të Amerikës thanë se pas heqjes së reciprocitetit – që shihej si pengesë për dialogun – palët tani duhet t’i kthehen tavolinës së bisedimeve.
Në një deklaratë dhënë për Radion Evropa e Lirë, ambasada amerikane në Prishtinë thotë se tani SHBA-ja pret rifillimin e dialogut me Serbinë, që çon në njohje të plotë.
“Mirëpresim vendimin e qeverisë në heqjen e të gjitha masave të ndërmarra kundër Serbisë dhe tani presim që të rinisë dialogu sa më shpejtë që të jetë e mundur. Njohja e plotë është në interesin më të mirë të Kosovës dhe rajonit për të siguruar stabilitet dhe prosperitet ekonomik”, thuhet në deklaratën e ambasadës amerikane dhënë për REL.
Ndërkaq, Korporata e Sfidës së Mijëvjeçarit të Qeverisë së SHBA-së (MCC), ka mirëpritur shfuqizimin e reciprocitetit ndaj Serbisë dhe njofton për rinisjen e zbatimit të programeve të zhvillimit ekonomik në Kosovë.
“Shtetet e Bashkuara mirëpresin zgjidhjen e çështjeve të tarifave dhe heqjen e masave të reciprocitetit ndaj mallrave serbe. MCC do të rinisë zbatimin e programeve në Kosovë. Mirëpresim vazhdimin e bashkëpunimit me popullin dhe Qeverinë e Kosovës, në punën tonë të përbashkët për të zbutur varfërinë përmes rritjes ekonomike”, thuhet në njoftim.
Korporata e Sfidës së Mijëvjeçarit kishte njoftuar në mars për pezullimin e programeve në Kosovë, për shkak se në fuqi ishin ende tarifat kundër mallrave serbe. Vlera e një programi që MCC-ja pezulloi në muajin mars, kapte vlerën prej 50 milionë dollarësh.
Kurti dhe Osmani kundërshtojnë vendimin e qeverisë
Ish-kryeministri i Kosovës, Albin Kurti – që kishte vendosur masat e reciprocitetit me Serbinë në prill të këtij viti – tha se me vendimin e fundit të qeverisë, për të shfuqizuar këto masa, Kosova ka marrë fajin për mungesën e deritanishme të dialogut.
Kurti tha se me këtë vendim, Qeveria e Kosovës i ka bërë “shërbim të mirë Serbisë”, duke shtuar se tani Kosova do të hyjë në dialog si fajtore për vonesën e rifillimit të këtij procesi.
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka mirëpritur vendimin e Qeverisë së Kosovës për të shfuqizuar masat e reciprocitetit ndaj Serbisë.
Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Thaçi tha se tani presioni ndërkombëtar duhet drejtuar kah Serbia, që siç u shpreh ai “pa humbur kohë të rifillojë dialogu, i cili duhet të përfundojë me njohje reciproke ndërmjet dy shteteve”.
Por, kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani kundërshtoi vendimin e qeverisë për shfuqizimin e reciprocitetit.
Osmani, që vjen nga LDK-ja, partia që udhëheq me qeverinë, tha se reciprociteti nuk është “pengesë”, por barazi, andaj ajo shtoi se me këtë vendim, Kosova ka hequr dorë “nga e drejta për t’u trajtuar sovran si Republikë e Kosovës”.
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, partia e së cilit udhëheqë me qeverinë, e cilësoi si “vendim të guximshëm” heqjen e reciprocitetit.
Ai tha se tani pret nga Serbia që të dëshmojë se është e interesuar për dialog dhe të ndërmarrë masa për të krijuar kushte, që bisedimet të rikthehen.
Lëvizja Vetëvendosje, partia tashmë më e madhe opozitare, e ka cilësuar si “tradhti” shfuqizimin e reciprocitetit.
Përmes një postimi në Facebook, Vetëvendosje tha se heqja e reciprocitetit është bërë “për të lidhur marrëveshjen e ligë” me Serbinë, duke akuzuar kryeministrin Hoti, se ka hequr dorë nga emërtimi “Republika e Kosovës”, që mallrat që vinin nga Serbia kërkohej ta kishin në dokumentacionin e tyre, në kohën kur reciprociteti ishte në fuqi.
Në vend të këtij emërimi, sipas Vetëvendosjes, qeveria tani do të pranojë dokumentacione të mallrave ku shkruan “Kosova dhe Metohija”.
Ndërkaq, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli tha se qeveria ka bërë mirë që ka shfuqizuar masat e reciprocitetit.
Por, Veseli tha se reciprociteti, taksa, demarkacioni dhe dialogu, janë keqpërdorur në vazhdimësi, siç u shpreh ai, “për interesa të politikës ditore”.
Vuçiq: Heqja e reciprocitetit, vendim i mirë
Vendimin për heqjen e masave të reciprocitetit e ka mirëpritur presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, duke e cilësuar këtë si vendim të mirë.
“(Presidenti i Kosovës, Hashim) Thaçi e bëri këtë sepse donte të thoshte ‘nuk më intereson BE-ja, më intereson vetëm SHBA-ja’. Ne nuk jemi në të njëjtin pozicion. Ne mendojmë se (Kosova) është fëmija i tyre (SHBA-së). Nga ana tjetër, është një ide e mirë për të hequr të gjitha pengesat tregtare midis Prishtinës dhe Beogradit. Unë thjesht dua të theksoj se ne nuk jemi në të njëjtin pozicion”, tha Vuçiq gjatë një interviste dhënë sot për televizionin serb, Prva.
Vuçiq po ashtu tha se Serbia do të luftojë për Kosovën, por sipas tij, nuk do të ketë “zgjidhje të lumtur” për Beogradin.
“Ne do të përpiqemi ta bëjmë (rezultatin e negociatave midis Kosovës dhe Serbisë) zgjidhje më pak të pafavorshme, por ta bëjmë atë të favorshëm është jorealiste”, tha Vuçiq.
Lajçak mirëpret heqjen e reciprocitetit
I dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, ka mirëpritur vendimin e Qeverisë së Kosovës për heqjen e reciprocitetit ndaj Serbisë.
Lajçak tha se ky vendim tregon përkushtimin e Kosovës që të rikthehet në dialog.
“Mirëpres vendimin e sotëm të Qeverisë së Kosovës për të hequr masat e reciprocitetit. Heqja e shpejt e pengesave për rifillimin e dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, tregon përkushtimin e qartë të Kosovës që të rikthehet në tavolinën e bisedimeve, pa vonesa”, ka shkruar Lajçak në rrjetin social Twitter.
I welcome today’s decision of the government in Kosovo to remove the recent reciprocity measures. The swift removal of obstacles to the resumption of the 🇪🇺-facilitated Dialogue shows a clear commitment of Kosovo to get back to the table without delay.
— Miroslav Lajčák (@MiroslavLajcak) June 6, 2020
Qeveria e kaluar e Kosovës kishte hequr taksën 100 për qind ndaj produkteve nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina, dhe më 1 prill kishte vendosur masat e reciprocitetit ndaj produkteve nga Serbia.
Ky vendim nuk ishte mirëpritur nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian, pasi reciprociteti u pa si pengesë për vazhdimin e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë u ndërpre në fund të vitit 2018, kur Qeveria e Kosovës që atëbotë udhëhiqej nga Ramush Haradinaj, vendosi taksë 100 për qind ndaj produkteve nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina. Që atëherë, Beogradi ka kushtëzuar rikthimin në tavolinën e bisedimeve me heqjen e të gjitha pengesave të vendosura nga Prishtina zyrtare.