Ministria e Shëndetësisë mohon se mjekë nga Kosova u paraqitën vullnetarë për ta ndihmuar Luginën e Preshevës në luftën ndaj COVID-19
Janë bërë tre javë që kur u tha se 200 mjekë vullnetarë nga Kosova kanë bërë kërkesë për të shkuar në Preshevë, për të monitoruar situatën e krijuar nga koronavirusi. Kjo kërkesë u tha se ishte dërguar në tri adresa të qeverisë së kaluar, në Ministri të Shëndetësisë, në Zyrën e Kryeministrit dhe në Ministrinë e Punëve të Jashtme. Blerim Syla nga Federata e Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës edhe pas tri javëve nuk ka marrë ndonjë përgjigje nga këto institucione. Por, nga Ministria e Shëndetësisë kanë thënë se një kërkesë e tillë nuk u erdhi fare në adresë të tyre.
Më 13 maj mbi 200 mjekë vullnetarë nga Kosova janë paraqitur për të shkuar në Luginën e Preshevës për të monitoruar situatën e krijuar nga koronavirusi.
Kjo nismë ishte nismë nga Kryetari i Federatës së Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës, Blerim Syla.
Mirëpo edhe pas tri jave Syla ende nuk ka marrë ndonjë përgjigje nga Qeveria.
Syla ka treguar se këtë kërkesë e kishte drejtuar në Ministri të Shëndetësisë, në Zyrën e Kryeministrit dhe Ministrisnë e Punëve të Jashtme.
“Kjo kërkesë është nisur nga unë pastaj janë lajmëruar edhe 200 mjekë tek Oda e Mjekëve, unë kam bërë kërkesë dhe deri më tani nuk kam marrë përgjigje. Kjo kërkesë i është dërguar Kryeministrit, Ministrisë së Shëndetësisë dhe Ministrit të Punëve të Jashtme”, ka thënë Syla për Insajderin.
Ndërsa, në Ministrinë e Shëndetësisë e kanë mohuar se një kërkesë e tillë ka ardhur në adresën e tyre dhe se për të kishin dëgjuar nga mediat.
“Në MSh nuk ka ardhur zyrtarisht një kërkesë e tillë nga asnjë mjek apo organizatë. Për të MSh ka dëgjuar vetëm në media”, kanë thënë nga MSH.
Një kërkesë të tillë e kishte bërë edhe Ragmi Mustafi, kryetar i Këshillit Nacional të Shqiptarëve në Serbi.
Mustafi ka treguar se kërkesën e tij e kishte dërguar tek autoritetet në Beograd, por të njëjtit nuk i kanë kthyer ende përgjigje.
“Po edhe ne kemi bërë kërkesë tek autoritetet Serbe për hyrjen e 200 mjekëve kosovarë në Preshevë por ende nuk kemi marrë përgjigje, edhe pse do të duhej të kishte një përgjigje të shpejtë sepse është e nevojshme pasi që për këtë iu vjen mirë edhe qytetarëve të Preshevës”, ka thënë Mustafi.
Por nga Ministria e Shëndetësisë, kanë thënë se nuk ka pranuar ndonjë kërkesë nga autoritetet e Preshevës për të dërguar ndonjë ekip mjekësor.
“MSh nuk ka pranuar ndonjë kërkesë prej autoriteteve atje për dërgim të ndonjë ekipi mjekësor dhe aktivitetet e ndihmës së deritanishme kanë qenë të koordinuara me Zyrën Ndërlidhëse të Kosovës në Beograd dhe Qeveria e Kosovës e ka ndihmuar Luginën me 500 000 euro ndihmë financiare”, thuhet në përgjigjet e MSH-së.
Kjo kërkesë ishte nisur pas video konferencës së ish-ministrit të Shëndetësisë, Arben Vitia, ku kishte komunikuar me homologun e tij nga Serbia, Zlatibor Lonçar për rritjen e bashkëpunimit mes profesionistëve shëndetësor për mbrojtjen e të gjitha komuniteteve nga virusi Covid-19.
Më 13 prill të këtij viti rreth 100 mjekë, infermierë e teknikë nga Serbia kishin hyrë në Kosovë. Në MSH kishin deklaruar se kjo ka ndodhur me kërkesë të kryetarit të komunës së Graçanicës, e që Ministria e Shëndetësisë së Kosovës dhe Ministria të Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike kanë dhënë leje