Qeveria miraton rregulloren e re për zyrën e kryeministrit dhe ministrive
Qeveria e Kosovës ka mbajtur mbledhjen e tretë në të cilën ka shqyrtuar dhe miratuar rregulloren për fushat e përgjegjësisë administrative të zyrës së kryeministrit dhe ministrive.
Sipas Qeverisë, kjo rregullore përcakton fushat e përgjegjësisë administrative të Zyrës së Kryeministrit dhe të ministrive në Qeverinë e Republikës së Kosovës.
“Dispozitat e kësaj rregulloreje obligojnë: Kryeministrin, zëvendëskryeministrat, ministrat, zëvendësministrat, këshilltarët politikë, këshilltarët e jashtëm politikë, nëpunësit në kabinete dhe nëpunësit civil në Qeverinë e Republikës së Kosovës. Rregullorja përcakton përbërjen e Qeverisë së Republikës së Kosovës nga Kryeministri, zëvendëskryeministrat dhe ministrat. Gjithashtu përkufizon se Qeveria ushtron pushtetin ekzekutiv në përputhje dhe në kuadër të kompetencave kushtetuese dhe ligjore”, thuhet në komunikatën e Qeverisë.
Rregullorja e re përcakton përbërjen e Qeverisë së Republikës së Kosovës nga këto ministri:Ministria e Financave (MF); Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural (MBPZHR); Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve (MKRS); Ministria e Mbrojtjes (MM); Ministria e Infrastrukturës (MI); Ministria e Punëve të Brendshme (MPB)Ministria e Shëndetësisë (MSH); Ministria e Drejtësisë (MD); Ministria e Ekonomisë dhe Ambientit (MEA); Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD); Ministria e Arsimit dhe Shkencës (MASH); Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale (MPMS); Ministria e Tregtisë dhe Industrisë (MTI); Ministria e Pushtetit Lokal (MPL); Ministria për Kthim dhe Komunitete (MKK); Ministria e Zhvillimit Rajonal.
Në mbledhje, Qeveria ka miratuar edhe vendimin me të cilin ka konfirmuar vullnetin e Qeverisë së Republikës së Kosovës për procedim të mëtutjeshëm për shqyrtim në Kuvendin e Republikës së Kosovës të disa vendimeve.
“Vendimi Nr. 06/15, i datës 23.03.2020, për aprovimin e Raportit Vjetor Financiar për vitin 2019; vendimi Nr. 02/23, i datës 08.04.2020 për aprovimin e Projektligjit për Ratifikimin e Marrëveshjes për financim ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim për Projektin e fuqizimit të sektorit financiar; vendimi Nr. 05/26, i datës 23.04.2020 për aprovimin e Projektligjit për Ratifikimin e Marrëveshjes për Hua ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim për Projektin e Zhvillimit të Ujërave të Zeza në Gjilan; vendimi Nr. 06/26, i datës 23.04.2020 për Ratifikimin e Marrëveshjes për Financimin e Projektit për Kadastër të Patundshmërisë dhe Infrastrukturë Gjeo-hapësinore ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim; vendimi Nr. 07/26, i datës 23.04.2020, për aprovimin e Projektligjit për Ratifikimin e Marrëveshjes në mes të Bashkimit Evropian dhe Republikës së Kosovës mbi pjesëmarrjen e Kosovës në Programin e Bashkimit “Dogana 2020”; vendimi Nr. 08/26, i datës 23.04.2020, për aprovimin e Projektligjit për Ratifikimin e Marrëveshjes në mes të Bashkimit Evropian dhe Republikës së Kosovës mbi pjesëmarrjen e Kosovës në Programin e Bashkimit “Fiskalis 2020”; vendimi Nr. 01/27, i datës 30.04.2020, për aprovimin e Kornizës Afatmesme të Shpenzimeve 2021 – 2023; vendimi Nr. 03/27, i datës 30.04.2020, për aprovimin e Programit të Borxhit Shtetëror 2021 – 2023”, thuhet në komunikatë.
Kurse, sa i përket reciprocitetit me Serbinë, Qeveria ka miratuarvendimin me të cilin shfuqizohen vendimet e Qeverisë Kurti të datës 20 mars 2020; 31 mars dhe 30 maj.